Kurti takon shefen e IOM-it, diskutojnë për mbështetjen ndaj komuniteteve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot shefen e Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Anna Rostocka, tramsmeton KosovaPost.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe shefja e IOM-it biseduan rreth bashkëpunimit dhe rezultateve të projektit të zbatuar nga kjo organizatë me mbështetje nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo e Zvicrës në Kosovë, i cili ka fuqizuar proceset brenda qeverisë për të drejtat e komuniteteve joshumicë.

“Ky projekt në veçanti ka mundësuar krijimin e një platforme digjitale nga Zyra për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit dhe buletinin dyjavor që promovon mundësitë që ofron qeveria për komunitetet joshumicë. Ai gjithashtu ka mbështetur procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, që ka mundësuar deri tash 381 të diplomuar të aplikojnë për pozita në institucionet e Republikës së Kosovës, dhe zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve përmes ngritjes së kapaciteteve të përkthyesve,” thuhet në njoftim.

Tutje, kryeministri Kurti falënderoi Rostockën për përkrahjen e IOM-it dhe shprehu gatishmërinë për vazhdim të bashkëpunimit për qëllime të përbashkëta dhe në shërbim të komuniteteve joshumicë.

The post Kurti takon shefen e IOM-it, diskutojnë për mbështetjen ndaj komuniteteve appeared first on Kosovapost.net.