Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot është takuar me kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka.
Në këtë takim, siç njofton Zyra e Kryeministrit, u “diskutua për funksionimin e këtij institucioni dhe ngritjes së bashkëpunimit në çështjet që ndërlidhen me Qeverinë. Ndonëse në kohë pandemie, KQZ është e gatshme të ushtrojë autoritetin e saj publik institucional”.
“Znj. Daka e njoftoj Kryeministrin në detyrë, z. Kurti, që përgatitjet për zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës edhe pse janë ndërprerë, me vendimin e marr më 14 mars të këtij viti, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, për mos-mbajtjen e tyre, KQZ është e gatshme që ta mbajë këtë proces zgjedhor”, thuhet në njoftim.
“Në anën tjetër Kryeministri në detyrë, z. Kurti e njoftoi znj. Daka, për lirimin e masave që po i ndërmerr Qeveria ndaj COVID-19. Koordinimi ndërinstitucional dhe respektimi i rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë nga qytetarët, kanë dhënë rezultatin e tyre”, shtohet më tej në komunikatë.
“Kryeministri në detyrë Kurti në këtë takim shprehu gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për forcimin e bashkëpunimit me KQZ-në dhe nevojën që ka vendi ynë për zhvillimin demokratik të institucioneve përmes transparencës dhe pavarësisë së tyre”./Fokusi.info/