Kurti takohet me kancelarin austriak, thekson përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të martën është pritur në një takim bilateral nga kancelari i Austrisë, Christian Stocker, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Vjenë.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke përmendur kontributin e saj që nga vitet ’90, në procesin e shtetndërtimit, integrimin evropian dhe angazhimin në kuadër të KFOR-it.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, një nga temat kryesore të bisedës ishte anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Kurti vlerësoi mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovës në Komitetin e Ministrave në Kishinau dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj përkrahjeje, përfshirë edhe rolin e Austrisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kryeministri në detyrë mirëpriti gjithashtu deklaratën e kancelarit Stocker në Tivat se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor. Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së dhe kërkoi që blloku evropian të përgjigjet me dhënien e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Në takim u diskutua edhe për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Austrisë, me fokus në bashkëpunimin ekonomik e tregtar, investimet, energjinë, transformimin digjital, si dhe çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit rajonal.

“Kurti e uroi Austrinë për zgjedhjen si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027-2028, ndërsa nga kancelari Stocker mori urime për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit”, thuhet në njoftim.