Kurti takohet me ambasadorin amerikan Kosnett, bisedohet për taksën dhe dialogun

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett në zyrat e këtij të fundit.
Në këtë takim, sipas komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje është biseduar për çështjet aktuale në vend, përfshi edhe taksën.
“U shkëmbyen edhe qëndrimet e dy palëve për dialogun dhe tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për dëmet që po i shkaktohen vendit nga nepotizmi dhe korrupsioni në sektorin publik dhe për domosdoshmërinë e reformimit të administratës publike në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas kësaj komunikate, Kurti e ka njoftuar ambasadorin për qëndrimet që kjo parti i ka karshi dialogut me Serbinë, se pse nuk duhet të hiqet taksa e të tjera.
Përveç çështjeve aktuale në këtë takim, sipas Vetëvendosjes është diskutuar edhe për diasporën kosovare në Evropë e Amerikë.
Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë mbështetje Qeverisë Haradinaj sa i përket taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Ndërsa, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i ka kërkuar Qeverisë që ta largojë taksën, gjë që është refuzuar publikisht nga Kryeministri Haradinaj, i cili si kusht ka kërkuar garanci për njohjen e Kosovës shtet nga ana e Serbisë.