Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimin që pati me Shefin e CIA’s, William Burns, sot në mëngjes. Vizitën e Burns, e ka cilësuar si historike, e Burnsin si diplomat briliant.
Kurti ka deklaruar se “Qeveria po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik”.
“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t’i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, ka deklaruar Kurti.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, është pyetur ditë më parë nëse qeveria amerikane e konsideron ende partner kryeministrin Albin Kurti dhe anasjelltas.
Hovenier tha se janë sfiduar nga Kurti dhe qeveria e tij në disa mënyra, duke shtuar se cilësia e partneritetit nuk është ajo që do të shpresonin të ishte, duke përmendur këtu trajtimin e çështjes së veriut dhe dialogut.
“Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra…Por, për këto çështje, më duhet të them se jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij, dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Ai tha se kjo nuk është vetëm deklaratë e tij, derisa theksoi deklaratën e Jim O’Brien, ndihmës-sekretari ynë për Evropën.
Hovenier përmendi reagimet e javës së kaluar pas mbylljes së degëve të Postës së Serbisë, ku përsëriti deklaratën e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Ne patëm një moment të jashtëzakonshëm dhe do të marr pak kohë që ta lexoj një pjesë të deklaratës, kur hiç më larg se javën e kaluar, pas aksioneve të pakoordinuara kundër zyrave të Postës në veri, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha: “Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara të udhëheqësisë së Kosovës. Ne besojmë se ato i vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova t’i krijojë. Nëse shikoni, që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqimisht integrimin e saj të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe shumetnike, por për ta realizuar këtë vizion, i cili është një vizion që ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që fuqizojnë paqen dhe prosperitetin në vend, që e çojnë Kosovën përpara në rrugëtimin euroatlantik. E nxisim këtë Qeveri të Kosovës që të kthehet – – gjë që sugjeron se nuk jemi në atë pikë tani – në një angazhim të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”.”, deklaroi Hovenier.
REL e pyeti ambasadorin e “sa kohë do të tolerojnë që të sfidohen?”. Ai tha se ka mëdyshje se sa e përkushtuar është Qeveria Kurti për partneritet me SHBA’të.
Hovenier shtoi se kur flasin me një qeveri për gjërat që mund të bëjë të cilat shtojnë rrezikun për ushtarët tanë dhe nuk jemi të bindur se po marrim një përgjigje efektive, ndikon në pikëpamjen se në çfare mase po i merr Qeveria shqetësimet e tyre.
“E dini, Kosova është shtet sovran dhe ne e pranojmë si të tillë. Kështu që nuk e di nëse është çështje e tolerancës. Mendoj se më shumë ka të bëjë me cilësinë e partneritetit tonë. Kemi mëdyshje se sa e përkushtuar është kjo Qeveri për partneritet me ne. Kur flasim me një Qeveri për gjërat që mund të bëjë të cilat shtojnë rrezikun për ushtarët tanë dhe nuk jemi të bindur se po marrim një përgjigje efektive, kjo ndikon në pikëpamjen tonë se deri në çfarë mase kjo Qeveri po i merr parasysh shqetësimet tona, sa e përkushtuar është kjo Qeveri ndaj partneritetit që duam të kemi.”