Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur edhe për bllokadën politike në vend, duke thënë se duhet të pritet edhe pak ditë deri në daljen e njoftimit të Gjykatës Kushtetuese për atë se si duhet të procedohet tutje.
Gjatë një vizite në QKUK, ai deklaroi se nuk e di cili do të jetë vendimi dhe zgjidhja që do të japë Kushtetuesja, por thotë se kanë deklaruar që do ta respektojnë vendimin.
“Mendoj që duhet të presim edhe fare pak ditë, do të na njoftojnë se çfarë kanë menduar se do të ndodh pas 30 ditëve. S’e di cila do të jetë zgjidhja, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.
“Le të presime dhe pak ditë”, ka shtuar kryeministri në detyrë.
Në orët e pasdites të së martës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës kërkoi sqarim se cilat janë pasojat juridike, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik.
Ky afat ishte caktuar më herët nga Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi të saj.
Arsyeja e tërheqjes së kërkesës drejtuar gjykatës është sipas Presidentes Ormani gjyqtari me përkatësi serbe në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, i cili ishte caktuar nga gjykata si gjyqtar raportues për kërkesën e saj. Sipas Osmanit caktimi i Llaban si raportues për shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.
Aktualisht Gjykata Kushtetutese është duke shqyrtuar kërkesat e PDK-së dhe LDK-së. Këta të fundit presin nga ky institucion një vendim që i hap rrugë shumicës parlamentare të ushtrojë të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe të rikthejë normalitetin institucional.
“LDK-ja e ka bërë të qartë se, në përputhje me vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe me parimet themelore të funksionimit të sistemit kushtetues parlamentar, në rast se subjekti i parë dështon të sigurojë shumicë, e drejta për të propozuar kandidatin duhet t’i takojë shumicës parlamentare. Sistemi demokratik funksionon mbi bazën e shumicës dhe përgjegjësisë, jo të bllokadës dhe mungesës së vullnetit politik”, thuhej në komunikatën e kësaj partie.