Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, të gjithë punonjësit e sektorit publik do të përfitojnë një rritje të koeficienteve, e cila do të rezultojë në një rritje totale prej 165 eurosh deri në korrik 2025.
Ai ka theksuar se është arritur maksimumi i lejuar i rritjes buxhetore për pagat, duke vendosur të mos rritet vlera e koeficientit, por të rritet numri i koeficienteve për çdo punonjës të sektorit publik.
Kurti ka thënë se vlera e një koeficienti do të mbetet 110, ndërsa sasia e koeficienteve për një njësim do të rritet.
“Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, do të kemi një rritje prej 0.5 njësi për çdo punonjës, e cila do të pasohet nga një rritje tjetër prej 0.5 njësi nga korriku i vitit 2025”, ka deklaruar ai.
Si rezultat, punonjësit me koeficientin 5.6 do të shohin pagën e tyre të rritet në 6.1 në janar dhe në 6.6 në korrik, ndërsa ata me koeficientin 10.5 do të arrijnë në 11 në janar dhe 11.5 në korrik.