Kurti rikujton themelimin dhe aksionin e parë simbolik të LVV-së

Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar 20-vjetorin e themelimit me një tribunë të veçantë me temën “Historiku i Lëvizjes dhe ku jemi pas 20 viteve”, ku mori pjesë kryeministri në detyrë dhe lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti kujtoi ditën e parë të themelimit të Vetëvendosjes dhe aksionin simbolik që u zhvillua më 12 qershor të vitit 2005 në Prishtinë.

“Përafërsisht 20 metra nga ky vend që jemi tash ka qenë zyra e parë e Vetëvendosjes, në atë lokal që e kemi pasur me qira. Aty i kemi përgatitur aksionet që më pas i zhvillonim në kryeqytet, fillimisht në Prishtinë e pastaj edhe në qytetet tjera të Kosovës”, tha Kurti.

Ai përshkroi në detaje aksionin e parë simbolik të kësaj lëvizjeje, ku për herë të parë u shfaq slogani “Jo negociata, Vetëvendosje”.

“Saktësisht para 20 viteve, përafërsisht në këtë orë, kemi përfunduar aksionin dhe kemi shkruar ‘Jo negociata, Vetëvendosje’ te muri i UNMIK-ut, aty ku sot është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, tha Kurti, duke shtuar se aksioni ishte organizuar në mënyrë të koordinuar me 24 aktivistë.

“Secili aktivist e ka ditur se në cilin vend do ta shkruajë shkronjën e vet. Një shkronjë shkruhej për 10 sekonda, dhe vetëm në këtë mënyrë kemi mundur ta përfundojmë parullën para se të ndërhynte policia”, tha ai.

Kurti tregoi se pati arrestime pas aksionit, por asnjë arrestim nuk u bë në flagrancë. Ai theksoi se ky aksion shënoi fillimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila u ndërtua mbi ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin politik.

Sot, sipas Kurtit, Vetëvendosje numëron mbi 60 mijë anëtarë, nga të cilët 10 përqind janë nga diaspora, ndërsa mosha mesatare e anëtarëve është 41 vjeç.

“Duhet të jemi krenarë që pas 20 viteve kemi një lëvizje të tillë, me bazë të gjerë qytetare, e që nisi si një ide për Vetëvendosjen si të drejtë themelore të popullit të Kosovës”, tha Kurti pos tjerash./rtk

The post Kurti rikujton themelimin dhe aksionin e parë simbolik të LVV-së appeared first on Kosovapost.net.