Pas vendosjes së gurthemelit të çerdhes së re në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama vizituan sot punimet që po bëhen në çerdhen e re në lagjen e Medresesë si dhe në shkollën e re në lagjen Prishtina e Re, investime këto të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Prishtinë në vlerë totale prej katër milionë euro.
Çerdhja në lagjen e Medresesë do të realizohet më herët se sa që është planifikuar. Punimet pritet përfundojnë në muajin shtator, një muaj më herët. Kryeministri Kurti e mirëpriti këtë lajm shumë të mirë, teksa tregoi se kostoja e gjithmbarshme do të jetë më pak se 750 mijë euro. Çerdhja do të ketë sipërfaqe prej 1,550 metra katrorë dhe do të akomodojë deri në 120 fëmijë.
Nga vizita, kryeministri theksoi se kjo çerdhe do të jetë në funksion të strategjisë së qeverisë për edukimin në fëmijëri të hershme, në mënyrë që fëmijët e sotëm të bëhen qytetarë të dinjitetshëm, punëtorë dhe të ngritur të Republikës sonë. Ai falënderoi operatorin ekonomik për punën që po bën dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj çerdhe.
Prej aty, vazhduan për në lagjen Prishtina e Re, në punishten e shkollës së re e cila është një investim tjetër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Komunën e Prishtinës në vlerë prej 3.3 milionë euro. Shkolla do të ketë një sipërfaqe të përgjithshme prej 6,430 metra katrorë dhe me një kapacitet për 800 nxënës. Punimet kanë nisur në janar të vitit 2025. Sipas planifikimet fillestar, ato do të duhej të përfundonin brenda 36 muajve. Por në bazë të punës së deritanishme dhe intensitetit të tyre, nga punëkryesi u dha njoftimi se ndërtimi pritet të përfundojnë më herët.
Kryeministri Kurti e quajti lajm të mirë për lagjen, prindërit dhe fëmijët që shkolla e re po ndërtohet edhe më herët se që pritej. Ai tha se sa më shumë shkolla aq më mirë për mirëqenien e qytetarëve, për ngritjen e tyre intelektuale, emocionale e profesionale në të ardhmen.
Vlera e përgjithshme e investimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës gjatë këtij mandati në fushën e arsimit në Komunën e Prishtinës është mbi 12.2 milionë euro.
The post Kurti, Rama e Nagavci inspektojnë punimet në ndërtimin e çerdhes së re në lagjen e Medresesë dhe shkollës së re në lagjen Prishtina e Re appeared first on Kosovapost.net.