Kurti që s’i beson SHBA-së me fjalë të mëdha para Borrellit: U futa në dialogun me Serbinë vetëm pse organizohet nga BE-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Dubrovnik të Kroacisë ka folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, dialog në të cilin kishte thënë se s’përfshihet pa u plotësuar disa kushte. Këtu kishte përmendur kërkimfaljen nga Serbia për krimet e kryera në Kosovë, ndërrimin e Kushtetutës nga Serbia, kthimin e të pagjeturve, pagimin e dëmeve të luftës dhe pa e njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë Kurti pas uljes në karrigen e kryeministrit të vendit është përfshirë në procesin e negociatave me Serbinë. Kishte thënë se do ta ketë diku poshtë në listën e prioriteteve, derisa përgjatë këtyre dy viteve i është shndërruar në top-prioritet, sidomos muajve e ditëve të fundit.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se është përfshirë në procesin e bisedimeve me Serbinë sepse lehtësimi i bisedimeve organizohet nga Bashkimi Evropian. Këto deklarime Kurti i ka bërë gjatë një samit në Dubrovnik të Kroacisë.

“Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe të ardhmes që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Kurti duke shtuar se i është bashkuar dialogut me Serbinë sepse ai “organizohet nga Bashkimi Evropian, që është lehtësues i bisedimeve”, citon Radio Televizioni i Kroacisë.

Një deklaratë e tillë e kryeministrit Albin Kurti vjen në një moment mjaft delikat ku gjendet procesi i negociatave, pas ngjarjeve të fundit në veri dhe pas acaraimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.