Kurti që pretendonte se e ka shtrirë sovranitetin në veri, ankohet se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhje në Kosovë që u mbajtën më 9 shkurt. 

Kurti, në një konferencë për media të dielën me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se shteti serb është përpjekur t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, sidomos partinë e Nenad Rashiqit, i cili aktualisht mban postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës.

“Serbia orvatet që vendin tonë jo vetëm ta mbaj peng në zhvillimin e brendshëm politik por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, të luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste, si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal e fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet, nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhet e frikësimet por edhe sulmet kibernetike”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se Serbia është munduar edhe t’i frikësojë votuesit në Kosovë, e sidomos votuesit joserb.

“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë të Nenad Rashiqit dhe Demokracia serbe të Aleksandër Arsenijeviq por edhe votuesit e komuniteteve tjera, kryesisht rom e ashkali. Përfaqësues të caktuar nga të gjitha subjektet tjera politike, janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar edhe në katër komunat veriore, edhe në gjashtë komunat tjera me shumicë serbe”, u shpreh Kurti.