Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ministrin e Irlandës për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne.
Temat qendrore të bisedës ishin marrëdhëniet bilaterale dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, dhe fuqizimi i partneritetit në fushën e mbrojtjes.
Duke rikujtuar takimin e parë në korrik të vitit 2022, kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën e sërishme ministrin Byrne, që tregon për marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, partneritetin dhe miqësinë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Irlandës.
Ai e falënderoi për kontributin e Irlandës për paqe dhe siguri në vend përmes pjesëmarrjes në misionin e NATO-s në Kosovë, dhe për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Kryeministri foli për rritjen e ekonomisë që Kosova ka shënuar në katër vitet e fundit dhe avancimin e demokracisë si dhe reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – me këtë rast theksoi rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për Kosovën mbi bazën e meritokracisë.
Gjithashtu foli për investimet në mbrojtje dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas kritereve dhe standardeve të vendeve anëtare të NATO-s, dhe gatishmërinë për bashkëpunim me Irlandën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Potenciali i vendit tonë në fushën e teknologjisë, mundësitë për investime që ofron dhe roli i diasporës ishin po ashtu pika të diskutimit, në të cilat u theksua shembulli i mirë që Irlanda përfaqëson në zhvillimin e industrisë së teknologjisë nga i cili mund të përfitojë Kosova, dhe modeli irlandez i organizimit të diasporës, të cilin po e zbaton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
The post Kurti priti në takim ministrin e Irlandës për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne appeared first on Kosovapost.net.