Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim profesor Hisashi Owada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), të cilin e falënderoi për vizitën dhe i shprehu respektin më të lartë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e së drejtës ndërkombëtare.
Në takim, kryeministri Kurti veçoi rolin kyç të profesorit Owada në Opinionin Këshillues të GjND-së të 22 korrikut 2010, në të cilin u konstatua se shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Profesori Owada, duke falënderuar kryeministrin për pritjen në Qeveri, theksoi se Opinioni i GjND-së ishte shprehje e ndërgjegjes dhe sensin e tij të drejtësisë, duke shtuar se ishte e natyrshme që Gjykata të vendoste për anën e drejtë.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e thellimit të solidaritetit ndërmjet shteteve demokratike, si Kosova dhe Japonia. Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe synimin e Qeverisë së Kosovës për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy vendeve.
Profesori Owada e mirëpriti këtë angazhim dhe shprehu gatishmërinë që, në kapacitetin e tij personal, të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Universiteti i Prishtinës dje i akordoi titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” profesorit Hisashi Owada për kontributin e jashtëzakonshëm akademik, angazhimin jetësor në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale.
The post Kurti pret në takim ish-kryetarin e GJND-së Hisashi Owada, e falënderon për rolin në opinionin e GJND-së pë pavarësinë e Kosovës appeared first on Kosovapost.net.