Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do ta risjellin në Kuvend çmimin tavan për produktet bazë në mënyrë që ta frenojnë abuzimin me çmimet, raporton Ekonomia
Ai në foltoren e Kuvendit teksa po flitet për projektbuxhetin e 2026-ës, tha se rritja e importit vjen vetëm nga rritja e fuqisë blerëse, dhe këtu përmend dhe mbylljen e rrugëve ilegale.
“Sa i përket rritjes së importeve, ajo vjen jo vetëm nga rritja e fuqisë blerëse, sepse, siç thashë, ne e kemi rritur kërkesën agregate me këtë shpërndarje – jo pak te ata që kanë pak, është bërë më shumë. Dhe kjo vjen gjithashtu nga fakti që është eliminuar kontrabanda. Janë 37 rrugë ilegale që janë mbyllur anembanë Kosovës, prej tyre 27 në veri të Kosovës, dhe eliminimi i kontrabandës natyrisht që ka kontribuar në rritjen e importit, përveç rritjes së fuqisë blerëse, ku një pjesë e konsiderueshme janë mallra që vijnë nga jashtë”, tha Kurti.
Kurti ka pranuar se ka pasë rritje të çmimeve të produkteve bazë, por ka theksuar edhe fitimin që patën korporatat.
“Është e vërtetë që ka pasur rritje të çmimeve të produkteve bazë, por ato do të kenë tavan së shpejti. Ju e dini që kemi propozuar ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ka pasur një adresim në formë ankese nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas është rrëzuar. Ne do ta risjellim ligjin me çmime tavan për produkte bazë dhe në këtë mënyrë do ta frenojmë abuzimin me çmime. Ne nuk jemi kundër fitimit të korporatave, por jemi kundër superfitimit në kurriz të qytetarëve, që paraqet abuzim me mirëqenien e popullsisë mbarë. Fitimi i korporatave është rritur në Kosovë. Në qeveritë e mëhershme kurrë nuk e kanë mbërritur 1 miliard euro. Nëse nuk gaboj, viti 2018 është viti më i mirë me rreth 950 milionë euro, ndërkaq vitin që lamë pas fitimi i korporatave është 2.2 miliardë euro. Pra, prej më pak se 1 miliard në 2.2 miliardë – rreth 120 për qind rritje e fitimit të korporatave, që e dimë nga të dhënat e ATK-së, sepse paguajnë 10 për qind tatim dhe mjafton ta shumëzosh me 10 për ta kuptuar sa ka qenë fitimi”, tha Kurti.










