“Nga tanket në rrugët e Kosovës, te fëmijët në karroca, nga rrënojat e shtëpive te kolonat e pafundme të traktorëve, nga ecjet dërrmuese në male, në momentet e fundit me të afërmit e vrarë mizorisht, këto rrëfime janë një rikthim i domosdoshëm, që na kujton sa e brishtë është jeta dhe sa rëndë e thellë kemi kaluar nëpër errësirë”, ka veçuar Kurti në Facebook.

Ai më tej ka thënë se autori nga 500 fotografi të realizuara, është sfiduar që t’i përmbledh më pak se 70 për ekspozim, teksa Kurti e quajti si një përzgjedhje e dhimbshme.

“Fotografitë e tij janë dëshmi. Ato janë dritare që lidhin shpirtin e popullit me kujtimet, me dhimbjen, me të vërtetën. Lidhje të përjetshme me ata që e njohën veten në ato imazhe, me ata që nuk janë më, dhe me ne që ende mbajmë detyrën dhe peshën e kujtesës. Korniza nuk mund ta përmbajë jetën si të tillë. Por përmes përjetimit në fotografi, Goddard ka kornizuar shpirtin e çdo jete që ka dokumentuar”, ka shkruar Kurti.