Kurti për buxhetin e RTK-së: Jam për zgjidhje ligjore

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për mosalokimin e pagave për 700 punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës ka thënë se adresa është Kuvendi i Kosovës. Arsyetimi i tij qe mosndjekja e një praktike joligjore, sikur më parë.

 

“RTK është themeluar nga Kuvendi dhe i jep llogari atij. Ne jemi për ta gjetur një zgjidhje dhe jemi për pjesëmarrje aktive për të gjetur zgjidhje, por ajo nuk mund të jetë zgjidhje e cila është ligjore. Komisioni për Buxhet dhe Financa do të duhej ta marrë një zgjidhje, duke mos pasur Kuvend të legjislaturës së nëntë, nuk kemi as Komision, rrjedhimisht as atë vendim”, ka thënë ai.
“Ajo është praktikë jo ligjore e kryeministrit Hoti. Unë nuk mund të shkeli nëpër atë rrugë jo ligjore paçka se ajo tashmë është bërë”, ka thënë Kurti, duke folur për vendimin e qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Avdullah Hoti në vitin 2021, i cili kishte alokuar buxhetin me një vendim.

“Ka pasur takime, komunikime në këtë aspekt. Jam për zgjidhje ligjore. Duhet t’i pyesni ata që janë takuar, nuk mund të diskutoj për një gjë që e ka Kuvendin edhe themelues edhe adresë”, ka thënë ai shkurt, në konferencën për media pas vizitës së punimeve në Klinikën e Kardiologjisë, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sot para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës u mbajt protesta e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së. Me pankarta si “Gazetar pa pagë, demokraci pa zë” dhe “Mos na e fikni zërin publik”, punonjësit kërkuan pagat e papaguara dhe mbrojtjen e transmetuesit të vetëm publik në vend.

Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit të vetëm publik në vend, Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), nuk kanë marrë pagat për muajin korrik, pasi nuk është alokuar kësti i dytë i buxhetit për vitin 2025.

 

The post Kurti për buxhetin e RTK-së: Jam për zgjidhje ligjore appeared first on Kosovapost.net.