Kryeministri në detyrë, Albin Kurti që ka qenë në takimin e parë të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës me përfaqësues dhe anëtarë nga Komuna e Mitrovicës së Jugut dhe Komuna e Mitrovicës së Veriut, u ka premtuar atyre mbështetje përballë sfidave që ka thënë se mund të kenë.
Shefi në detyrë i qeverisë, që një ditë më parë caktoi Elbert Krasniqin në krye të këtij bordi, ka falënderuar të dy kryetarët, atë të Mitrovocës së Jugut, Bedri Hamza dhe Erden Atiqin e Mitrovicës së Veriut për propozimet e anëtarëve të bordit.
“Kryeministri tha se është kënaqësi dhe nder për të që jetë aty me rastin e formalizimit të një të detyre të rëndësishme siç është Bordi i Përbashkët. Ai falënderoi Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza dhe Kryetarin e Mitrovicës së veriut, Erden Atiq për propozimet e tyre për anëtarë të këtij Bordi. Anëtarët, kryeministri Kurti i uroi për detyrën e re dhe u dëshiroi shumë suksese dhe punë të mbara e të mira, teksa u zotua për mbështetje të plotë përballë sfidave që mund të kenë”, thuhet në komunikatën e përcjellë nga zyra e kryeministrit.
Ata kanë thënë se Bordi i Përbashkët Funksional ka një rëndësi të veçantë për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy komunave.
“ Ai parashihet në Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave. Përmes bashkërendimit në fusha kyçe si infrastruktura, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet komunale, ky Bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe ndërtimin e besimit reciprok. Me pjesëmarrje të barabartë nga të dy komunat dhe nën kryesimin e përfaqësuesit të Kryeministrit, ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit ndaj interesit të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim”, thuhet në fund të komunikatës kryeministrore.
The post Kurti për Bordin e Përbashkët të Mitrovicës: Kanë mbështetjen time appeared first on Kosovapost.net.