Kurti: PDK e LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Kushtetueses

Kryetari i Vetëvendosjes që është kryeministër në detyrë, Albin Kurti, tha se takimi me liderët e partive politike ia ka vlejtur, meqë sipas tij, u sqaruan shumë gjëra.

“E njëra ndër gjërat që u sqaruan është e çuditshme dhe brengosëse. Për bindjen time të fuqishme partitë opozitare, PDK e LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e po e keqinterpretojnë atë publikisht. Nuk është as qëllimi as kuptimi i atij aktgjykimi çfarë po thuhet nga PDK e LDK. Konkretisht Kushtetuesja nuk ka thënë se komisioni për votim të fshehtë është antikushtetues e as që votimi i fshehtë është i tillë. Po ashtu, nuk thotë askund që kryesuesi, Avni Dehari ka bërë ndonjë shkelje”, tha ai.

Tutje, Kurti deklaroi se kundërshtimi opozitar po e shtynë të besojë që Albulena Haxhiu i ka 61 vota me votim të fshehtë.

“Unë nuk e di, Albulena Haxhiu a i ka 61 vota me votim të fshehtë, por me ju thënë të drejtën ky kundërshtimi opozitar ndaj votimit të fshehtë po më bënë të besoj se mbase edhe i ka 61 vota”, tha ai.

Kurti tha se më 9 shkurt populli e ndëshkoi opozitën. “Populli e ka ndëshkuar opozitën. 4 vjet kanë qenë në opozitë edhe i la me 24 e 20 e tash po thonë ndrysho ti. Kjo nuk është në rregull. Unë mendoj që kur kemi parasysh propagandën të jesh më i madh se partia e dytë dhe e tretë së bashku, kjo është e paparë në Evropë. Veç edhe në Shqipëri ka një shembull të ngjashëm”, tha ai.

I pyetur se çfarë ndodhë pas 30 ditësh, ai tha se duhet pyetur Gjykatën Kushtetuese .

“Siç jeni këtu shkoni te Gjykata Kushtetuese e pyesni çka bëhet pas 30 ditësh. Kjo pyetje është legjitime veç adresa nuk është legjitime. Nuk pyetet  kryeministri për këtë gjë, se nuk e di kryeministri. Aktgjykimin e bënë ata. Ata që e bënë aktgjykimin duhet tua sqarojnë juve se çka ndodhë me Kosovën me 26 e 27 korrik e unë e marr vesh përmes juve pastaj”, ishte përgjigjja e Kurtit, në pyetjen për këtë çështje.

The post Kurti: PDK e LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Kushtetueses appeared first on Kosovapost.net.