Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë ka thënë se ka paralajmërime për destabilizim në shënimin e Vidovdanit, festë kjo fetare, e cila tradicionalisht organizohet nga serbët më 28 qershor në Gazimestan.
Kurti tha se ndonëse kjo ditë ka karakter fetar, ajo fatkeqësisht është keqpërdorur nga autoritetet e Beogradit për të përcjellë retorikë politike, nxitëse dhe kërcënuese ndaj sigurisë publike në Kosovë.
“Beogradi zyrtar që po përballet me protesta gjithandej të studentëve dhe jo vetëm po përpiqet që ta zhvendos vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiqeveritare e antiregjim të së njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive të nxisin incidente në Gazimenstan”, tha Kurti.
Ai tutje tha se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, janë duke u bërë përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Kryeministri tha se janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina për të ardhur në Kosovë, dhe se këto grupe tradicionalisht kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithashtu janë kundër vlerave demokratike dhe evropiane.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë që të respektojnë ligjin dhe të moslejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që gjithashtu të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdoqoftë në ditën e nesërme”, ka theksuar kryeministri në detyrë.
Ai tha se tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin.
“Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin dhe jo të shndërrohen në një mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd, të cilat tentojnë ta eksportojnë krizën e brendshme politike përmes provokimeve në Kosovë, vetëm për t’u paraqitur më pas si kinse mbrojtës të interesave kombëtare të tyre dhe të serbëve në Kosovë përmes narracioneve propagandistike dhe klero-nacionaliste. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve dhe nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë, rendin sigurinë dhe paqen publike në Kosovë”, tha shefi i ekzekutivit.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti foli edhe për samitin e 34-t të NATO-s të mbajtur në Hagë të Holandës dhe për investimet në ushtrinë e Kosovës.
“Ne e përshëndesim përfundimin e punimeve të këtij samiti si dhe vendimin unanim të vendeve anëtare të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 përqind të bruto prodhimit vendor. E vlerësojmë lart edhe rikonfirmimin e vendeve anëtare për zotim për mbrojtjen kolektive që adresohet në nenin 5 si një ndër parimet themelore të NATO-s. Gjithashtu përshëndesim vendimin për mbajtjen e samitit të 36-të të NATO-s në Tiranë, në Republikën e Shqipërisë, në vitin 2027”, tha Kurti.
Ai me këtë rast tha se edhe qeveria që udhëheq vazhdon të rrisë investimet në ushtri.
“Republika e Kosovës është e palëkundur në rrugëtimin e saj në NATO. Qeveria ka rritur dhe vazhdon të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të republikës si dhe kontributin për sigurinë evropiane dhe më gjerë. Dhe pikërisht sot FSK-së i janë shtuar edhe 35 rekrutë të rinj, gjithsej 2700 pjesëtarë më shumë për ushtrinë tonë në këtë mandat”, shtoi ai.
The post Kurti paralajmëron për përpjekje destabilizuese nga Serbia në Gazimestan appeared first on Kosovapost.net.