Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherit kandidat i kësaj partie për kryeministër sot ka qëndruar në qytetin e Rahovecit, ku ka treguar se cilat janë tri karakteristikat themelore për punësimet e njerëzve në institucione gjatë qeverisë së tij.
Ai ka thënë se ato janë profesionalizmi, ndershmëria e patriotizmi, e jo mbiemri i veçantë e libreza e partisë.
“Tri karakteristika themelore ne i duam për punësimin e njerëzve në institucionet e sistemit dhe jo vetëm, profesionalizimi, ndershmëria dhe patriotizmi. Jo mbiemri i veçante i farefisnisë apo libreza e duhur partisë, jo me librezë partie, jo me mbiemër familje, por profesionalizmi dhe ndershmëria”, ka thënë Kurti.
Pavarësisht kësaj deklarate duhet kujtuar se Kurti gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër, pra 50 ditëshit të tij, punësoi edhe njerëz të partisë në borde të ndërmarrjeve publike.
I kritikuar sa ishte kryeministër për “kapjen” e bordeve, Kurti kishte thënë se “ka bërë mirë” që njerëzit e VV-së i ka emëruar aty.
Ai ka theksuar se kishin dy opsione: të vendosnin disa njerëz të VV-së në borde, ose të mos bënin asgjë për disa javë.
“Midis asaj se a të ecim përpara, e mes 39 anëtarëve t’i kemi katër nga VV-ja, apo të mbesim me javë të tëra pa bërë asgjë në këto ndërmarrje, 14 prej 17 të cilave veprojnë me humbje, kemi vendosur për këtë, dhe mendoj që kemi bërë mirë”, kishte deklaruar Kurti.