Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga partitë opozitare që të provohet votimi i fshehtë për kryetar/e të Kuvendit të Kosovës.
Kurti ka thënë se nëse Albulena Haxhiu nuk fiton atëherë Lëvizja Vetëvendosje do të sjell një emër të tjetër.
Ai ka theksuar se gjithmonë është i gatshëm për konsensus dhe kompromise.
“Unë gjithmonë jam i gatshëm për takime, për konsultime konstruktive, për bashkëpunim në mirëbesim dhe gjithashtu për konsensus dhe kompromise. Kam ofruar dy kompromise. I pari është ai që t’i delegojnë përfaqësuesit partitë politike dhe me atë rast nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë, sepse pa votë nuk rrëzohet, me bojkot nuk shkohet përpara…E dyta…Le ta provojmë votimin e fshehtë: o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër”, ka deklaruar Kurti para medieve pas vendosjes së gurthemelit të një çerdheje sot në Prishtinë.
Kurti ka shtuar se nuk e kupton rezistencën e partive kundër votimit të fshehtë, kur sipas tij më 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë votuar në të njëjtën mënyrë dhe e kanë bërë VV-në fituese.
“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare kundër votimit të fshehtë, kur dihet që më 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë votuar me votë të fshehtë, të lirë e demokratike dhe e kanë bërë VV-në fituese. Ne i kemi 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 – pra PDK plus LDK nuk bëjnë sa VV-ja. Ky është fakt i jetës, fakt demokratik me të cilin duhet të pajtohemi”, ka theksuar Kurti./
The post Kurti: O fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër appeared first on Kosovapost.net.