Albin Kurti nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale të martën në orën 10:00, sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kryeministri, i cili është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar në një rast penal të keqpërdorimit të detyrës, në vend të zbatimit të urdhëresës së gjykatës, ka zgjedhur të jetë në Gjilan.
Sipas agjendës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti do të marrë pjesë sot në vënien e gurit themeltar të çerdhes së re në Gjilan.
Që nga ftesa e parë, në dhjetorin e vitit të kaluar, Kurti ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës për të dëshmuar në Prokurori. Shefi i qeverisë, në një kundërpërgjigje, ka thënë se është i gatshëm t’i presë prokurorët specialë në zyrën e tij.
Të premten, Kurti dha sërish sinjale refuzimi të paraqitjes së tij në Prokurori.
Në një deklaratë për media, Zyra e Kryeministrit insistoi se Kurti nuk ka refuzuar dhënien e dëshmisë për rastin për të cilin është ftuar. Në deklaratë, insistohet se Kurti është i gatshëm t’i presë prokurorët në zyrën e tij.
Por, aktvendimi i nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e obligon kryeministrin që të dëshmojë në Prokurori.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi tha të premten se gjykatësi i procedurës paraprake, Valon Kurtaj, e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për sjelljen e dëshmitarit në Prokurori.
Prokurorët specialë e kanë paralajmëruar kryeministrin Kurti se në rast të mosparaqitjes të paarsyeshme, do të detyrohet të paraqitet dhe se në rast të një tjetër refuzimi, mund të dënohet me gjobë ose mund të burgoset.