Për dallim nga presidentja në largim, kryeministri Albin Kurti e ka ruajtur ftohësinë në raport me presidenten Vjosa Osmani.
Pas sulmeve të presidentes sot në mëngjes kur u deklarua “njerëz me qëllime të rrezikshme” e “persona të papërgjegjshëm”, të cilat besohet se i drejtohen pikërisht Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, kryeministri nuk është lëshuar në sulme anasjelltas.
Por, ai as nuk ka dhënë arsye të forta pse nuk e ka nominuar sërish për presidente Vjosa Osmanin. Ka përmendur si arsye se gjoja e ka kushtëzuar situata për shkak se kandidatura e sa nuk do t’ia garantonte kuorumin në raundin e tretë të procesit të votimit.
“Ne jemi përpjekur të gjejmë figurën konsensuale dhe shtegun për propozime partiake e nisi partia kryesore opozitare, PDK, ne nuk ishim për atë. Kur thanë se do të bëhen veç propozime të partive dhe afrohet afati kur ne duhet të jepnim së paku një propozim, ne erdhëm te emri i Glauk Konjufcës. Tash, ne e kemi ditur paraprakisht që as presidentja aktuale, e as presidenti potencial nuk na garantojnë kuorumin, kjo u pa mbrëmë me 66 deputetë dhe në këtë situatë kemi bashkëpunuar me parti të tjera. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi vepruar ashtu siç kemi vepruar dhe në fund erdhëm në situatën që nuk ishte kandidate as presidentja aktuale”, tha ai.
“Ne jemi takuar qindra herë me presidenten gjatë këtyre më shumë se pesë viteve. Kemi pasë diskutime të panumërta. Tash ne ruajmë transparencën e proceseve, por në të njëjtën kohë duhet të ruajmë edhe konfidencialitetin e bisedave. Shumë biseda kemi bërë. Ajo është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër dhe nuk është koha tash të bëj diskutime publike, politike me presidenten e vendit. Nëse një ditë, siç është paralajmëruar, ajo do të kthehet në politikë, ajo do të ishte një situatë tjetër”, tha Kurti në konferencën për media pasi pikërisht Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.










