“Kurti nuk do president që merret me politikë të jashtme”, Haxhiu i kundërpërgjigjet Osmanit

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu i është kundërpërgjigjur ish-presidentes Vjosa Osmani, e cila në një intervistë ka deklaruar se Albin Kurti nuk dëshiron president që merret me politikën e jashtme.

Osmani ka thënë se Kurti ia ka thënë personalisht se nuk dëshiron president që merret me politikën e jashtme.

Mirëpo këtë e ka mohuar Haxhiu në një intervistë në KTV.

“Nuk  di që Kurti e do një president që s’merret me politikë të jashtme, Kushtetuta i qartëson të gjitha kompetencat në raport me politikën e jashtme. Bazuar në Kushtetutë, qeveria e propozon por zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme, mirëpo presidenti është udhëheqës i politikës së jashtme. Presidenti është unifikues dhe garantues i unitetit. Qeveria ka kompetencë substanciale në politikën e jashtme, teksa presidenti ka karakter përfaqësues, jo ekzekutiv”, ka thënë Haxhiu.

“Të gjitha institucionet, ekzekutivi, legjislativi dhe presidenca të jenë njëzëri në politikën e jashtme. Por në të kaluarën kemi pasur përvoja kur diçka tjetër ka thënë qeveri, diçka tjetër presidenti dhe diçka tjetër Kuvendi”, ka thënë ajo.