Kurti njofton për aderimet e reja në prag të afatit për dorëzimin e listave

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për tri aderime të reja në Lëvizjen Vetëvendosje në vetëm pak orë.

Kur kanë mbetur më pak se dy orë deri në afatin për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, Kurti ka njoftuar për një aderim të ri në VV.

“Prof. Dr. Ass. Marigona Bekteshi Ferati i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe do të jetë pjesë e listës sonë për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit”. thuhet në njoftimin e Kurtit.

Kreu i LVV-së ka thënë se Bekteshi Ferati është shqiptarja e parë dhe e vetme në Kosovë dhe rajon me PhD dhe Post-PhD në fushën e teatrit.

Ajo ka përfaqësuar Kosovën në shumë festivale dhe institucione ndërkombëtare, ndërsa është edhe fituese e bursës prestigjioze Fulbright 2025/2026, profesore universitare dhe themeluese e festivalit “Mittrix Fest”.

Partitë politike duhet që deri në ora 23:59 të dorëzojnë listat për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit.