Kurti, një gazetares serbe: S’ka kryeministër që më shumë u ka folur serbëve serbisht, s’është keq ta mësosh shqipen

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mori pjesë sot në përurimin e urës së dytë mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e dedikuar për këmbësorë, duke theksuar se projekti synon të rrisë lidhjen dhe bashkëpunimin mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit.

Pas fjalimit në shqip, Kurti u përball me një pyetje nga një gazetare serbe, e cila tha se nuk kishte kuptuar deklaratat për shkak të mungesës së përkthimit. Kryeministri iu përgjigj në gjuhën serbe, duke nënvizuar rëndësinë e barazisë gjuhësore. “Unë po përgjigjem në serbisht. Ndoshta nuk do të ishte keq që ndonjëherë pyetjet të bëhen edhe në shqip. Kurrë nuk është vonë për të mësuar një gjuhë tjetër”, deklaroi ai.

Kurti tha se ura “nuk ka përkatësi etnike” dhe se është ndërtuar për të lidhur njerëzit, duke nxitur tregtinë, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin kulturor e arsimor. “Kjo urë nuk është kundër askujt, është për të gjithë”, theksoi ai.

I pyetur nga gazetarja nëse ka pasur kontakte me serbët lokalë në veri, Kurti u përgjigj se është takuar me shumë serbë në të gjithë Kosovën. “Nuk ka kryeministër të Republikës së Kosovës që është takuar më shumë me serbë apo që ka folur më shumë serbisht se unë”, tha ai, duke shtuar se shumë nga këto takime nuk bëhen publike për shkak të presionit që, sipas tij, ushtrohet nga Beogradi.