Kurti në Reçak e akuzon Serbinë për gjenocid, ndërsa në Uashington e amnistoi Vuçiqin, i cili ishte ministër i Millosheviqit në kohën kur u krye masakra e Reçakut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përdorë peshore të ndryshme për bashkënegociatorin e tij në Bruksel, presidentin serb Aleksandër Vuçiq, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte Ministër i Informacionit i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Kurti, ndryshe e përshkruan në Uashington e Bruksel ish-ministrin e propagandës serbe, e krejtësisht ndryshe kur flet për të në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

19 MAJ 2022 – NË UASHINGTON, ALBIN KURTI AMNISTON VUÇIQIN

“E dimë shumë mirë se presidenti i Serbisë ishte Ministër i Informimit të Millosheviqit. Por, unë mund ta imagjinoj se Millosheviqi kurrë nuk e ka konsulutar Vuçiqin. Pra, nuk duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili asnjëherë nuk e ka konsultuar atë”.

Kjo është deklarata tronditëse e Albin Kurtit, nga kapaciteti i tij zyrtar si Kryeministër i Kosovës, e dhënë më 19 maj 2022, shkruan Demokracia.com.

Përveç përmbajtjes skandaloze, edhe vendi se ku Kurti po shfajësonte dhe amnistonte presidentin e Serbisë ishte hiç më pak se kryeqendra botërore, Uashingtoni.

Deklarata e Kurtit, e cila e zhvesh presidentin serb Vuçiq nga përgjegjësia e tij, është bërë gjatë një bashkëbisedimi në Këshillin e Atlantikut në Uashington, gjatë vizitës zyrtare të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

15 JANAR 2025 – NË REÇAK, ALBIN KURTI FAJËSON SERBINË PËR GJENOCID 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili deri më tani nuk ka kërkuar ndjesë për deklaratën e tij amnistuese dhe shfajësuese për ish-Ministrin e Informimit, Aleksandër Vuçiq, më 15 janar 2025, në Reçak ku Serbia kreu një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë, foli me gjuhën e popullit, gjuhën që e flasim të gjithë.

Në fjalimin e tij me rastin e 26-vjetorit të kësaj masakre, Kurti e ka akuzuar Serbinë për gjenocid, por, pavarësisht se kishte premtuar padi për gjenocid kundër Serbisë në vitet 2019 dhe 2021, kjo ende nuk ka ndodhur. Në kohën kur Serbia e kreu gjenocidin ndaj Kosovës, Aleksandër Vuçiq ishte Ministër i Informacionit i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

“Para 27 vjetësh, këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker, u bë e ditur e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë”, deklaroi Kurti.

NË BRUKSEL, OHËR, DAVOS, … ALBIN KURTI TAKON MOHUESIN E MASAKRAVE NË KOSOVË

Kryeministri Kurti vetëm kur është brenda Kosovës kujton rolin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në luftën e fundit në Kosovë, por kur ai ndodhet jashtë vendit, nuk i përsëritë të njëjtat fjalë.

Por, përkundrazi, si në Uashington që është përkujdesur ta shfajësojë dhe amnistojë, në Bruksel, Kurti ndjekë linjën e njëjtë, duke e takuar e dialoguer pa asnjë kushtëzim.

Kurti, i cili si opozitar kërkonte që dialogu me Serbinë të kushtëzohej me kërkimfaljen e shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë, si dhe me dorëzimin e kriminelëve të luftës, sapo është bërë kryeministër i Kosovës ka lënë në harresë “pakon e kushtëzimeve. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/si-e-harroi-albin-kurti-premtimin-per-kushtezimin-e-dialogut-me-kerkimfaljen-e-serbise-per-krimet-dhe-masakrat-ne-kosove-video