Kurti në Izbicë: Prokurorët i kanë pagat e mira, ta shtojnë punën për t’i ndjekur kriminelët e luftës

Kryeministri Albin Kurti bëri homazhe te familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë dhe më pas shkoi në fshatin Izbicë të Skenderajt për t’i përkujtuar 147 viktimat e vrara nga regjimi i Millosheviqit, gjashtë prej të cilëve janë ende të zhdukur.

Së bashku me Rifat Jasharin, ai nderoi të vrarët në masakrën e Izbicës, nga ku tha se “nuk mund të mbyllen plagët përderisa kriminelët nuk janë në burg”.

Pranë Memorialit, Kurti tha se “Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur e sistemi i drejtësisë në përgjithësi edhe për të gjykuar në mungesë”. I përmendi pagat e prokurorëve që tha se “i kanë të mira”.

“Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, me qenë se kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë. Prokurorët i kanë pagat e mira, i kanë gjithashtu edhe kushtet e favorshme të punës. Krejt çfarë kërkohet është vullnet edhe dije, në mënyrë që për këtë masakër dhe për shumë masakra anembanë Kosovës, të cilëve do t’ua shënojmë 25-vjetorin në këtë pranverë, të kemi shumë urdhërdhënës dhe ekzekutorë prapa grilave”, tha Kurti.

Kryeministri tha se “kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar janë të ndërlidhura, andaj Prokuroria e Shtetit duhet të bëjë gjithçka di e mundet”.

“Mbështetjen e Qeverisë së Republikës e ka të plotë, të parezervë e të pa kursim që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë, shqiptarët civilë të vendit tonë, autoktonë që e donin tokën e vetë edhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, ashtu që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët”, tha ai.

Kurti tha se “është jetike që pas dy dekadave e gjysmë të ketë edhe gjykime në mungesë, por edhe të ketë shumëfishim të punës së prokurorëve, të gjyqtarëve, në mënyrë që ata kriminelë të jenë prapa grilave”.

“Sot mundësitë janë më të mëdha, pagat i kanë të larta, kushtet i kanë të mira të punës, krejt çfarë kërkohet është vullnet dhe dije të Prokurorisë së Shtetit”, theksoi ai.

Deklarimi i plotë i Kurtit në Izbicë të Skënderajt:

Sot janë bërë 25 vjet nga masakra e Izbicës, kur forcat serbe, ushtarake, policore, paramilitare, të gjitha nën kontrollin e Beogradit zyrtar, që asokohe udhëhiqej nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, vranë 147 shqiptarë civilë të pambrojtur e të pafajshëm. Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Në fakt këta edhe qëllimisht u synuan e u qëlluan, sepse Serbia me operacionin “Patkoi” synonte shfarosjen e shqiptarëve dhe zbatimin e projektit të saj gjenocidal kundër nesh.

Prej këtyre 147 martirëve, gjashtë janë ende të pagjetur, me qenë se, pasi që janë varrosur kur janë vrarë këtu, ata janë zhvarrosur, për t’u zhdukur gjurmët e krimit. Janë varrosur në Serbi, për t’u zhdukur gjurmët e krimit dhe vetëm shumë më vonë janë sjellur në Kosovë, me ç ‘rast, po e ritheksoj që gjashtë prej tyre ende na mungojnë.

Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë, por sot duhet të themi me keqardhje, që për gjithë këtë masakër, ku janë vrarë 147 shqiptarë, vetëm një person është arrestuar.

Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur e sistemi i drejtësisë në përgjithësi edhe për të gjykuar në mungesë.

Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, me qenë se kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë. Prokurorët i kanë pagat e mira, i kanë gjithashtu edhe kushtet e favorshme të punës. Krejt çfarë kërkohet është vullnet edhe dije, në mënyrë që për këtë masakër dhe për shumë masakra anembanë Kosovës, të cilëve do t’ua shënojmë 25-vjetorin në këtë pranverë, të kemi shumë urdhërdhënës dhe ekzekutorë prapa grilave.

Para se të vij këtu, isha në Llap, ku vizituam familjet Bogujevci, Llugaliu dhe Duriqi, të cilëve gjithashtu para 25 vjetëve ua kanë vrarë më të dashurit e tyre. Ne e kemi nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, që i ka 16 vrima të 16 plumbave në trupin e saj.

Atje në Serbi është bërë sa për sy e faqe një proces gjyqësor nga i cili kryekrimineli Sasha Cvjetan ka mbajtur 2/3 dhe është liruar me dënim maksimal 20 vjet, mirëpo i pa penduar, mezi s’kanë pritur ta lirojnë dhe më pastaj është ri-arrestuar si kreu i një karteli të drogës në Athinë të Greqisë.

Pra, kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar janë të ndërlidhura, andaj Prokuroria e Shtetit duhet të bëjë gjithçka di e mundet. Mbështetjen e Qeverisë së Republikës e ka të plotë, të parezervë e të pa kursim që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë, shqiptarët civilë të vendit tonë, autoktonë që e donin tokën e vetë edhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, ashtu që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët.

Nuk mund të mbyllen plagët përderisa kriminelët nuk janë në burg. Plagët i mbyll drejtësia dhe këtë gjë e kemi për obligim si Republikë e Kosovës, si shtet i pavarur, mbi themelet, e gjaku të të cilëve dëshmorë e martirë, ne edhe e gëzojmë lirinë edhe ndërtojmë jetën edhe krijojmë progresin që e kemi.

Andaj është jetike që pas dy dekadave e gjysmë të ketë edhe gjykime në mungesë, por edhe të ketë shumëfishim të punës së prokurorëve, të gjyqtarëve, në mënyrë që ata kriminelë të jenë prapa grilave. Sot mundësitë janë më të mëdha, pagat i kanë të larta, kushtet i kanë të mira të punës, krejt çfarë kërkohet është vullnet dhe dije të Prokurorisë së Shtetit.