Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka përmendur fare pezullimin e dialogut strategjik nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai sonte në Prishtinë ka mbledhur kandidatët për kryetarët komunash nga kjo parti, por në fjalimin hyrës nuk foli gjë për kryetemën e ditës.
“Me rastin e hapjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tubim në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Në këtë ngjarje janë mbledhur kandidatët për kryetarë të komunave dhe asamblistët me të cilët LVV garon në të gjithë Kosovën në zgjedhjet e ardhshme lokale”, ka thënë gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani në Lajmet Qendrore.
“Para tyre ka mbajtur një fjalim kryetari i LVV-së dhe njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti”.
“Sa i përket çështjes më të përfolur të orëve të fundit, vendimit të ShBA-së për të pezulluar përkohësisht dialogun strategjik me Kosovën, deri më tani nuk ka pasur asnjë koment nga Kurti në lidhje me këtë zhvillim”.
“Fjalimi i tij ka përfunduar pak më parë, dhe aktualisht ai po zhvillon biseda të shkurtra me kandidatët për kryetarë komunash, në kuadër të një ndërveprimi të drejtpërdrejtë me ta”./Klankosova.tv