Albin Kurti rrallë del në konferenca për media e shpesh iu shmanget pyetjeve të gazetarëve në ngjarjet publike. Por, dje një të tillë e thirri vetë meqë deshi të përcojë se është shumë i kënaqur me performancen e VV në zgjedhjet lokale. Në shkurt të 2021-ës kur dy palë zgjedhje u mbajtën në një vit, euforia që po përjetonte Kurti e mbështetësit e tij pas besimit të madh të shkurtit në zgjedhjet nacionale u ndesh ashpër me rezultatin e dobët që shënoi në zgjedhjet lokale të nëntorit ku mori drejtimin e vetëm katër komunave. Sikurse më 2021 edhe sivjet Vetëvendosje është në balotazh në 12 komuna. A do ta ketë fatin e njëjtë apo do të shënojë sukses më të madh kësaj radhe?
Opinioni në Kosovë do të vazhdojë t’i ketë temë zgjedhjet edhe për një kohë, veçmas ato lokale, pasi në disa komuna procesi do të përsëritet më 9 nëntor, për shkak se votuesit nuk e kanë bërë zgjedhjen e tyre me të paren.
Për dallim nga ato të 2021-ës, zgjedhjet e 2025-ës i dhanë më shumë shpresë Kurtit se do të dalë më mirë në komunat ku tashmë veçse ka siguruar balotazhet.
Për pjesëmarrjen e VV’së në zgjedhje lokale dhe rezultatet në to e bëri vetë një historik.
“Lëvizja Vetëvendosje ka një histori vetëm 12-vjeçare pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Por, këto vite patën dëshmuar rritje të pandalshme dhe të vazhdueshme. Në vitin 2013, për herë të parë garuam në zgjedhjet lokale dhe fituam kryeqytetin, Prishtinën. Në vitin 2017 e rifituam Prishtinën dhe shtuam Prizrenin dhe Kamenicën. Në vitin 2021, shkuam në balotazh në 12 komuna dhe fituam Gjilanin, Kamenicën, Podujevën dhe Shtimen”, tha ai.
Kurti radhiti edhe dy komuna ku mbështetja ishte në përqindje të vogla për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga komuniteti serb.
“Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri fituam gjithashtu edhe Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin”.
Për garën e sivjetme, Kurti tha se komunat në të cilat qeverisi mandatin e kaluar i fitoi thuajse të gjitha pa balotazh.
“Lëvizja Vetëvendosje ka fituar pa balotazh në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime. Me votat nga diaspora mund të dalë që e kemi fituar edhe Gjilanin pa balotazh. Ndërkaq, jemi në balotazh nga 12 nga 17 komunat sa kanë shkuar gjithsej në balotazh nëse e përfshijmë edhe Gjilanin aty”.
Rezultatin e së dielës Kurti e interpretoi si ngritje të partisë së tij në “forcë kryesore” të vendit.
“Këto rezultate tregojnë qartë se Lëvizja jonë jo vetëm që e ka ruajtur rritjen nga cikli në ciklin tjetër zgjedhor, por është ngritur si forca kryesore politike në Republikën e Kosovës në nivelin lokal. Kjo është dhurata më e çmueshme, urimi më i mirë që e kemi marrë nga populli i Kosovës në këtë 20-vjetor të Lëvizjes Vetëvendosje sivjet”, shkruan Gazeta Express
Në cilat komuna shkoi sivjet në balotazh Lëvizja Vetëvendosjes, sipas rezultateve preliminare?
Në Prishtinë, kandidati i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku do të përballet me kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, kryetari aktual, i cili doli i pari me vota.
Në Prizren, kandidati i Vetëvendosjes, Artan Abrashin do të përballet kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj, kryetari aktual, i cili doli i pari me vota.
Në Pejë, kandidati i Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi do të përballet me kandidatin e LDK-së, Gazmend Muhaxheri, kryetari aktual, i cili doli i pari me vota.
Në Gjakovë, kandidati i Vetëvendosjes, Ardian Gola do të përballet me kandidatin e AAK-së, Ardian Gjini, kryetari aktual, i cili doli i pari me vota.
Në Gjilan, kandidati i Vetëvendosjes, Alban Hyseni pritet të përballet me kandidatin e LDK-së, Arbër Ismajli.
Në Kaçanik, kandidati i Vetëvendosjes, Jeton Raka do të përballet me kandidatin e PDK-së, Sabedin Vishi, i cili doli i pari me vota.
Në Fushë Kosovë, kandidati i Vetëvendosjes, Valon Prebeza, i cili doli i pari me vota, do të përballet me kandidatin e LDK-së, Besnik Osmani.
Në Mitrovicën e Jugut, kandidati i Vetëvendosjes, Faton Peci, do të përballet me kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, i cili doli i pari me vota.
Në Rahovec, kandidati i Vetëvendosjes, Ali Dula, do të përballet me kandidatin e AAK-së, Smajl Latifi, kryetari aktual, i cili doli i pari me vota.
Në Viti, kandidati i Vetëvendosjes, Arsim Ademi do të përballet me kandidatin e LDK-së, Sokol Haliti, kryetari aktual, i cili doli i pari me vota.
Në Vushtrri, kandidati i Vetëvendosjes, Sylejman Meholli, do të përballet me kandidatin e PDK-së, Ferit Idrizi, kryetari aktual, i cili doli i pari me vota.
Në Obiliq, kandidati i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, do të përballet me kandidatin e LDK-së, Xhafer Gashi, kryetari aktual, i cili doli i pari me vota.
Në cilat komuna humbi e në cilat fitoi Vetëvendosje në balotazh në vitin 2021:
Në Prishtinë, Arben Vitia i Vetëvendosjes kishte humbur garën me Përparim Ramën e LDK-së.
Në Prizren, Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes kishte humbur garën me Shaqir Totajn e PDK-së.
Në Gjakovë, Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje kishte humbur garën me Ardian Gjinin e AAK-së.
Në Gjilan, Alban Hyseni i Vetëvendosjes kishte fituar garën me Lutfi Hazirin e LDK-së.
Në Kaçanik, Jeton Raka i Vetëvendosjes kishte humbur garën me Besim Ilazin e PDK-së/
Në Fushë Kosovë, Enver Bajçinca i Vetëvendosjes kishte humbur garën me Burim Berishën e LDK-së.
Në Kamenicë, Kadri Rahimaj i Vetëvendosjes kishte fituar garën me Qëndron Kastratin e PSD-së.
Në Obiliq, Halil Thaçi i Vetëvendosjes kishte humbur garën me Xhafer Gashin e LDK-së.
Në Rahovec, Visa Korenica i Vetëvendosjes kishte humbur garën me Smajl Latifin e AAK-së.
Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes kishte humbur garën me Ekrem Hysenin e LDK-së.
Në Shtime, Qemal Aliu i Vetëvendosjes kishte fituar garën me Naim Ismailin e PDK-së.
Në Viti, Arsim Ademi kishte humbur garën me Sokol Halitin e LDK-së.