Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Francës, shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Bastilles, Ditës Kombëtare të Republikës së Francës.

Në fjalën e tij, Kurti u shpreh se 14 korriku nuk është vetëm një përkujtim i së kaluarës, por një përvjetor i vazhdueshëm i lirisë, luftës së njerëzimit për drejtësi dhe i lindjes së qytetarisë moderne.

“Sot, ndërsa festojmë 236-vjetorin e atij momenti themelues të modernitetit, nuk shikojmë vetëm nga e kaluara, por edhe nga e ardhmja. Dhe e ardhmja kërkon që të mos i ruajmë idealet tona vetëm me fjalë; kërkon që t’i përkthejmë ato në politika publike, institucione të qëndrueshme dhe drejtësi të prekshme. Kosova, si një Republikë e re, lindi në frymën e këtyre idealeve. Ne kemi zgjedhur rrugën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, jo vetëm sepse është rruga më e drejtë, por sepse është rruga që e bën vendin të denjë për qytetarët e tij dhe një partner të besueshëm për miqtë e tij”, tha ai.

Në vijim, shprehu mirënjohjen ndaj Francës për mbështetjen e saj të vazhdueshme në shtetndërtimin dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës, gjersa nënvizoi dhe përkushtimin tonë në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

Ai falënderoi dhe ambasadorin Guerot për punën në drejtim të thellimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, nga mbështetja institucionale deri te promovimi i bashkëpunimit kulturor dhe universitar.