Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 341 mijë e 672 vota në bazë të rezultateve të deritanishme të numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të Kosovës.
Nga këto vota, kandidati i LVV-së për kryeministër Albin Kurti ka marrë besimin e vetëm 65 për qind të votuesve të këtij subjekti.
Në listën e kandidatëve për deputet nga radhët e LVV-së që po qarkullon në media, del se deri më tash, Kurti ka marrë vetëm 222 mijë e 382 vota.
Ai ka dështuar ta arrijë numrin e votave që Vjosa Osmani i kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka deri tani 135,667 vota. Ai ka marrë afër 49 mijë vota më pak sesa partia, që sipas përditësimit të fundit ka 184,499 vota.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Hamza kishte marrë 23,976 vota si kandidat për deputet, ndërsa renditej i treti në listën e më të votuarve të partisë.
Lumir Abdixhiku, kryetari dhe kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë 94,778 vota, rreth 53 mijë më pak sesa ka partia më e vjetër në vend sipas rezultateve të fundit: 147,827. Abdixhiku në zgjedhjet e vitit 2021 kishte marrë 25,267 vota dhe ishte njeriu i tretë më i votuar në parti.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka aktualisht 77,341 vota. Në zgjedhjet e vitit 2021 ai kishte marrë 15,912 vota. Diferenca: rreth 62 mijë vota më shumë tash.
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-n Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka marrë deri tani 34,240 vota. Në zgjedhjet paraprake kishte marrë 41,371 vota, mbi 7 mijë më shumë se ç’numëron aktualisht.
Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ende po vazhdon në disa Qendra Komunale të numërimit.