Korrupsioni përbën rrezik jo vetëm për ligjin dhe ekonominë, por edhe për sigurinë kombëtare. Kështu kishte shpallur midis Parisi ish-kryeministri Kurti, por prej asaj dite e deri më sot nuk shkarkoi asnjë nga ministrat e tij të dyshuar për korrupsion. Nga mbledhja në mbledhje, Këshilli i Sigurisë, që kryesohet nga vetë Kurti, është marrë me gjithçka tjetër pos me adresimin e korrupsionit si cenues i sigurisë së Republikës së Kosovës.
Col Mehmeti
28 maj 2025 – Zyrtarët e korruptuar mund të shndrrohen sakaq edhe në kërcënim për sigurinë kombëtare.
Kështu vlerësonte para dy vitesh ish-kryeministri Albin Kurti.
Më 11 nëntor 2023 në Paris, teksa po merrte pjesë në Forumin e Paqes, udhëheqësi nga Kosova thoshte se rreziku i korrupsionit e prek edhe sigurinë e shtetit, e jo vetëm ekonominë.
“Kurdo që keni një lider të korruptuar…ju keni një brishtësi të caktuar në sigurinë kombëtare. Ndaj ne duhet ta shohim rrezikun e korrupsionit edhe në terma të sigurisë kombëtare e jo vetëm në terma të cenimit ligjor dhe dëmtimit të ekonomisë”, kishte thënë Kurti i cili në profilin e tij në platformën ‘X’ kishte shkëputur disa nga margaritarët e fjalimit të tij parisien.
Cilët ministra e rrezikuan sigurinë kombëtare?
Pra, sipas vetë përkufizimit albinkurtist për korrupsionin, siguria kombëtare në Kosovë i bie që është në pikë të hallit.
Në një rrethanë të tillë supozohet që Kurti – ndonëse sipas letrës së tij të 15 prillit është kryeministër efektivisht i dorëhequr – do të duhej ta thërriste Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Sipas përshkrimit zyrtar, ky Këshill “rekomandon politika dhe strategji për sigurinë”, me ç’rast ofron informata e vlerësime për gjendjen e sigurisë që i mundësojnë Qeverisë të marrë vendime përkatëse.
Gjithnjë sipas përkufizimit albinkurtist të korrupsionit, Këshilli i Sigurisë do të duhej sot ose këtyre ditëve të mblidhej pasi ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci u intervistua nga Njësia e Veçantë e Hetimeve për rastin e kompanisë që e fitoi tenderin për “funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produketeve shtazore.”
Mbi këtë kontratë, që u bë sebep për bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencinë e Veterinarisë, rëndojnë hijet e dyshimit për dëmtimin e buxhetit të Kosovës për 60 milionë euro.
Me numrin 9 në listën e përbashkët me Vetëvendosjen, Faton Peci i Listës Guxo sivjet doli i treti më i votuari me 133,987 vota.
Amerikanët paralajmëruan “korrupsion serioz qeveritar”
Por, ky nuk është rasti i vetëm i profileve të larta korruptive që gjatë mandatit të tyre në Qeverinë Kurti 2 u treguan si ‘breva’ ndaj parasë publike.
Edhe mbi ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, rëndojnë hijet e dyshimeve për korrusion.
Me 21 tetor të vitit të kaluar, në bazë të aktvendimit të Prokurorisë Speciale që e pati sipërfaqësuar Nacionale, Aliu rezulton si i pandehur për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i cili “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët” i shkaktoi dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në të vërtetë, raportet e Departamentit të Shtetit për vitet 2021, 2022 dhe 2023 – kohë që përkon me qeverisjen e Kurtit – e kanë përdorur dendurisht cilësimin “korrupsion serioz qeveritar.”
Kurti s’merret me problemet e sigurisë, por me blerje votash
Por, herën e fundit kur Kurti e mblodhi Këshillin e Sigurisë, me 6 prill, nuk u përmend aspak korrupsioni i ministrave dhe as sfida të tjera ndaj sigurisë.
Te ‘planet destabilizuese të Serbisë’, Kurti kishte përmendur se shteti fqinj po përpiqej të “sabotonte themelimin e institucioneve të reja.”
“Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”, ishte thënë në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Paradoksalisht, vetë partia e Kurtit u vu në pozitat të cilat e akuzonte Beogradin.
Nëpërmjet joshjeve, Vetëvendosja u përpoq të blinte votën e deputetes boshnjake, Duda Balje.
Një ditë pasi ishte bërë e ditur se zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i kishte ofruar pozitën e ligjërueses në një universitet në Shkup, ajo e kishte pranuar se i ishte bërë një propozim i tillë.