Kurti më 2016 – ja mënyrat si të manipulojmë me koalicione (dokument)

Ai që ulet përballë Kurtit dhe njerëzve të tij është veçse një kundërshtar. Kurdo që Vetëvendosjes i duhet të bëjë negociata për koalicione, bashkëbiseduesi duhet të manipulohet ashtu që të çarmatohet psiqikisht e të heqë dorë nga qëndrimet e veta. Me këso logjike, Kurti para nëntë vitesh i shestonte marifetet e tij kundrejt partive të tjera kundërshtare. Në dokumentin alla-Dugin, ai kishte zgjedhur një mori taktikash psikologjike, ku përfshihej mes të tjerash edhe hutimi i bashkëbiseduesit, dobësimi i aftësisë së kundërshtarit për t’u koncentruar, përdorimi i humorit për ta bërë për vete e të tjera si këto. A ishte normal ky njeri dhe a janë normalë 337,791 njerëz që e votuan atë?

 

Ish-kryeministri Albin Kurti nuk e sheh dialogun e brendshëm politik si udhë që Kosova të bëhet më mirë.

Sipas botëvështrimit të tij, dialogu, sidomos ai për koalicione me partitë kundërshtare, nuk duhet të njohë nocione si kompromisi.

Së paku kështu Kurti e teorizonte mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje duhet të bënte negociata me partitë e tjera.

Më 2016, ai e shkroi një dokument 52-faqësh të quajtur “Mbi organizimin politik” —ai kishte qarkulluar në mënyrë interne vetëm në rrethet e ngushta të Lëvizjes Vetëvendosje meqë nuk ishte miratuar si strategji nga pjesa tjetër udhëheqëse e partisë.

Në kapitullin të cilin Kurti e kishte titullzuar si “Fronti është nevojë”, ai porosiste që në negociatat për koalicione me të tjerët, por edhe me kundërshtarët, duhej të ndaheshin idetë nga njerëzit dhe qëllimet nga parimet.

Kështu, Kurti sugjeronte që të ndiqeshin tri udhëzime: (1) “Nuk ka kompromis në qendër”; (2) “Dihet shtegu i progresit pas kompromisit; dhe (3) “Kompromisi i bërë nuk tërheq kompromise të vazhdueshme të tjera.”

Nëse këto udhëzime dukeshin paksa abstrakte dhe jo të përvetësueshme, ai ua ‘vizatonte’ njerëzve të tij taktikat e negocimit me kundërshtarë.

Kështu, Kurti kishte shkëputur taktika efikase negocimi të huazuara nga autorë amerikanë si Kenneth W. Thomas, Richard E. Walton dhe Robert B. McKersie.

Nëse taktikat shpërndarëse, integruese dhe ato të strukturimit të sjelljes, Kurti ua sugjeronte njerëzve të eskortës së tij, kjo do të thotë se ato i përdor në një masë edhe sot e gjithë ditën.

Shumë nga taktikat e pëlqyera nga Kurti nuk duket se udhëhiqen prej motivesh për t’i bërë derman Kosovës paszgjedhore dhe as krizës sociale e ekonomike që po i fur njerëzit.

Ish-kryeministri i ka për zemër ato taktika me të cilat kundërshtari dekurajohet, hutohet, madje edhe i dobësohet aftësia për t’u koncentruar.

Me këso predispozimi manipulativ, kur Kurti ulet për të bashkëbiseduar me ‘kundërshtarë’ ai ua krijon atyre përshtypjen sikur i merr parasysh qëndrimet dhe shqetësimet e tyre.

Njashtu, Kurti kur fton ose ka përballë krerë partish të tjera, ai preferon plot taktika që ndikojnë sjelljen e tyre.

Kështu, ai përdor gjuhë të ngjashme me bashkëbiseduesin, flet mirë për miq të bashkëbiseduesit e keq për armiq të tij, shpreh mirënjohje ndaj tij, etj.

Ja marifetet që Kurti ua mësonte vartësve të tij në artin e negocimit:

Taktikat Shpërndarëse

• Bindeni tjetrin që prishja e negociatave do t’i kushtojë atij.
• Bindeni tjetrin që ju ndiheni shumë të përkushtuar në arritjen e rezultatit të synuar.
• Parandalojeni tjetrin nga krijimi i një përkushtimi të fortë për një rezultat afër synimit të tij.
• Lejojeni tjetrin ta braktis pozicionin e tij pa humbje fytyre apo kostoje tjetër.
• Bindeni tjetrin që rezultati i juaj i synuar është i drejtë.
• Bindeni tjetrin që rezultati i tij i synuar është i padrejtë.
• Bindeni tjetrin që palë të treta të rëndësishme e favorizojnë rezultatin e juaj të synuar.
• Përdorni humor jo-armiqësor për të ndërtuar ndikim pozitiv.
• Hutojeni tjetrin për ta dobësuar aftësinë e tij për t’u koncentruar.

Taktikat Integruese

• Demonstrojani tjetrit që shqetësimet e tij janë të rëndësishme për ty.
• Demonstrojani tjetrit që rezultati i qëllimit tuaj është tepër i rëndësishëm për t’u komprometuar.
• Demonstrojani tjetrit që një rezultat fitore-fitore është një mundësi.
• Demonstrojeni që ju jeni të ndryshueshëm sa u përket disa zgjidhjeve.
• Insistoni në kritere të drejta për të vendosur mes zgjidhjeve të mundshme.
• Bëni normat bashkëpunuese të spikatura.
• Minimizoni përdorimin e sjelljeve apo taktikave që do të shkaktonin emocione negative.
• Siguroni një atmosferë emocionalisht mbështetëse.
• Mbrojeni tjetrin nga hutimet emocionale.

Taktikat e Strukturimit të Sjelljes

• Përdorni gjuhë të ngjashme me atë të palës tjetër.
• Ndajeni veten nga të tjerët që nuk janë të pëlqyer nga oponenti.
• Lidheni veten me të tjerë të pëlqyer nga oponenti.
• Shpërblejeni sjelljen e oponentit.
• Shpreheni mirënjohjen.
• Përkujtojani oponentit obligimet e roleve.
• Ndihmojeni oponentin në punën gjatë qëndrimeve negative.
• Ktheni favoret.
• Luftojeni antagonizmin, jo antagonistin.