Këtë të diele gushti, kryeministri në detyrë, Albin Kurti zgjodhi të shkonte në Bogë të Rugovës, aty ku bë ceremonia hapëse e Lojërave Tradicionale të Rugovës “Rugova 2025”.
Kurti e quajti nder pjesëmarrjen në këto lojëra, ngjarje që tha se nuk është vetëm manifestim kulturor, por edhe rit i gjallë i identitetit kolektiv e dëshmi, sipas tij, se trashëgimia nuk është një kujtim i së kaluarës.
“Në këto lojëra, ku shfaqet forca, shkathtësia dhe mençuria, po bashkohen pikërisht gjeneratat për të përcjellë jo vetëm vlerat e fisit të Kelmendit dhe të komunitetit të Rugovës, por edhe frymën e bashkësisë që e ka ruajtur këtë traditë për dekada. Në këto fusha e male, nuk garojnë vetëm individët, por ringjallen zakonet, legjendat dhe forca shpirtërore e maleve tona të larta. Ky manifestim është edhe një ftesë për ne si shtet dhe si shoqëri që të mos e shohim trashëgiminë vetëm si diçka që e ruajmë nëpër muzetë e shtetit, por si diçka që jetohet, që zhvillohet, që na bashkon. Lojërat si këto janë pasuri kombëtare që i japin shpirt të gjallë territorit dhe kuptim të thellë përkatësisë”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Aty, Kurti i njoftoi banorët e zonës dhe pjesëmarrësit për fillimin e studimit të fizibilitetit nga Qeveria në detyrë për rindërtimin e rrugës Pejë – Kuqishtë.
“Dua t’ju njoftoj që para dy ditëve, pardje e kemi filluar studimin e fizibilitetit për ta rindërtuar rrugën Pejë-Kuqishtë. Rindërtimi i rrugës Pejë-Kuqishtë varësisht nga studimi i fizibilitetit do të jetë në vlerë të gjithmbarshme diku prej 15 milionë euro, ndërkaq sanimi i kësaj rruge ka filluar para tre muajve dhe do të kushtojë rreth 1.7 milionë euro. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi jo vetëm të gatshëm, por edhe të interesuar që të investojmë për shkak të vlerës së madhe natyrore, kulturore, shpirtërore, kombëtare, shtetërore që ka Bjeshka e Rugovës, jo vetëm për banorët e kësaj ane”, ka thënë kreu në detyrë i qeverisë para pjesëmarrësve të Lojërave Tradicionale në Rugovë, vend të cilin e quajti pasuri kombëtare.
The post Kurti: Lojërat Tradicionale në Rugovë, rit i gjallë i identitetit kolektiv appeared first on Kosovapost.net.