Dikur fliste nga rruga, sot endet me llojet e veturave që të tjerët i kritikonte për përdorimin e tyre.
Xhipat e zinj dhe të errësuar, tash janë makinat të cilave asnjë ditë nuk i zbret Albin Kurti.
I njëjti që para shumë vitesh i shihte truprojat si simbol frike dhe shkëputjeje nga populli, tash ecën i rrethuar prej tyre.
Politikani që u ngrit mbi kritikën ndaj pushtetit, parimet dhe premtimet e thëna nga goja e tij, sot janë kthyer në një retorikë të harruar
Lideri i Vetëvendosjes, që ndërtoi kapital politik me sulme ndaj arrogancës së pushtetit, po sillet e qeveris pikërisht në mënyrën që e përçmonte në kohën kur ishte opozitar.
Afërsia me qytetarët, që atë kohë e predikonte si alternativë morale ndaj elitave të vjetra politike, është zëvendësuar me distancë.
Kurti dikur tallte politikanët që “zbrisnin te qytetarët me xhipa të blinduar e me xhama të errësuar” dhe thoshte se truproja e dinte më mirë se kushdo tjetër pse qytetarët kishin arsye të revoltoheshin ndaj atyre që po i ruanin.
Ironikisht, edhe në vitin 2013, ai pranonte se qytetarët e paralajmëronin për këtë transformim, se pushteti do ta shndërronte në atë që ai e kundërshtonte, me truproja e xhipa, si dhe privilegje e braktisje të idealeve.
“Pothuajse në çdo tubim që kam pasur me qytetarë, jam ndeshur me njerëz të cilët më kanë thënë, edhe ju kur do të shkoni në institucione, do të keni truporoja, do të hypni në xhipa, do të bëni biznese, do të pasuroheni, do të korruptoheni, do t’i braktisni fjalët për bashëkim kombëtar e për për kundështim të Serbisë e dialofut me të. “, shprehej atë kohë ai, transmeton Klankosova.tv
Sot, krejt ato që i mohonte, po i bën!
Një tjetër qëndrim që e ndryshoi është ‘Bashkimi Kombëtar’.
Dikur shëtitej nëpër studio televizive si promotori më i zëshëm i kësaj kauze, sot e ka heshtur atë, duke e zhvendosur diskursin drejt Evropës.
Në vitin 2009, Kurti e quante integrimin evropian një zëvendësim “artificial” dhe “të rrejshëm” për bashkimin kombëtar, se shqiptarët nuk duhej të jetonin me iluzione se Bashkimi Evropian do ta realizonte atë që politika shqiptare nuk po guxonte ta bënte vetë, trasnmeton Klankosova.tv
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, i njëjti politikan e lexon Kushtetutën për të justifikuar pamundësinë e bashkimit kombëtar, duke u fshehur pas nenit 1.3, nen që dikur premtonte se do ta ndryshonte sapo të vinte në pushtet.
Ajo që dikur e quante pengesë dhe kundërthënie kushtetuese, shërben si alibi për heqje dorë nga një prej premtimeve më të mëdha ideologjike të Vetëvendosjes.
Pyetja që mbetet nuk është më çka ka thënë Kurti dikur, por sa prej atyre fjalëve kanë ende peshë sot, e sa prej tyre ishin vetëm mjet për të ardhur në pushtet.















