Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët për votën mbështetëse për miratimin e buxhetit për vitin 2026, por edhe për vërejtjet dhe kritikat e paraqitura gjatë debatit parlamentar nga opozita, duke bërë të ditur se ato do të trajtohen së shpejti me rastin e rishikimit të buxhetit.
Ai e ka cilësuar miratimin e buxhetit 2026 si “lajm tejet të mirë” për republikën dhe qytetarët, duke theksuar se procesi është vonuar pasi buxheti ishte paraparë të miratohej në fund të vitit të kaluar.
Kurti ka shkruar se buxheti i miratuar në vlerë prej rreth 4 miliardë euro parashikon 867 milionë euro për komunat, si dhe përfshin pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik.
“Po ashtu, buxheti përmban ndryshimin që mundëson dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para të punës e shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, deri në miratimin e Ligjit të ri për Tatimin në Pronë, në konsultim me komunat”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri ka thënë se buxheti i ri parasheh rritje të mbështetjes për barna esenciale, për kulturën dhe sportin, si dhe për ndërmarrësit në sektorin privat dhe bujqit. Investimet në infrastrukturë publike, sipas tij, do të kenë po ashtu rritje në kuadër të këtij buxheti.
“Miratimi i buxhetit është hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka theksuar Kurti.
Buxheti për vitin 2026 u miratua të premten në lexim të dytë në Kuvend, ndërsa opozita nuk e mbështeti, pasi asnjë nga amendamentet e saj nuk u përfshinë në dokumentin final.










