Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se qysh këtë javë do të nis bisedimet me partitë tjera për formimin e qeverisë Kurti 3. Ai tha se nëse nuk ka qeveri Kurti 3 janë të gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media tha se në momentin kur bisedimet për formim të qeverisë së re do të rezultojnë të suksesshme do ta thërras seancën për votimin e qeverisë.
“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar në analizën gjithpërfshirëse dhe hollësishme të rezultatit të zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë do të fillojmë edhe bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë, I duhet një mandat i ri qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit…Duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim që do të fillojë posa ta nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ndër të tjerash deklaroi se nëse nuk ka qeveri Kurti 3 janë të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare.
“Ne po bëhemi gati të qeverisim më shumë se kurrë nëpër komuna anë e mbanë të rikthemi në qeverisjen në kryeqytet dhe që është shumë e rëndësishme po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3, nëse nuk ka qeveri Kurti 3 padyshim që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”, tha ai.
Sa i takon asaj se më kënd do t’i zhvilloj këto bisedime për formim të qeverisë së re, Kurti tha se tash për tash duhet lënë kohës.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës që ndodhi të premten, menjëherë ditën e shtunë presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për formimin e qeverisë së re.