Kurti kërkon hetim të thellë për vd*ekjen e të riut në Lipjan: S’do ketë strehë për askënd që shkelë ligjin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kërkuar hetim të thellë dhe sa më të shpejtë për vdekjen e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu në Lipjan – në rastin e të cilit janë të përfshirë pesë zyrtarë policorë.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare.

“Fillimisht dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu për më të dashurin e tyre të ndjerin, Agon Zejnullahu. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike dhe falë incizimeve të dëshmitarëve. Por për të kuptuar çka ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë, bashkëpunimi ndërmjet policisë se Kosovës, IPK-së institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë, është thelbësore. Pesë zyrtare policorë tanimë janë në paraburgim. Kërkoj dhe pres hetim të thellë e sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat ashtu që vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia. Nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri në detyrë tha se tendenca që të nis një antifushatë drejt policisë është e dëmshme, dhe siç u shpreh ai, nuk është zgjidhje.

“Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike që po jepen janë të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e tij. Tendenca që të nisë një antifushatë drejt policisë është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje. Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato realizohen me rezultate të plota të hetimeve. Vetëm atëherë sigurohemi që llogaridhënia institucionale bëhet përgjigje për rastin dhe garanci që situata të ngjashme të mos përsëriten asnjëherë”, deklaroi ai.