Kurti i lë (përkohësisht?) bërtimat, del në media, shfaqet më i qetë: A ndërroi ‘strategji’ paraqitjeje në këtë fushatë?

Pyetja që natyrshëm shtrohet në publik: a ka parë lideri i Vetëvendosjes sondazhe të brendshme që i kanë sugjeruar të ndërrojë takt, qasje e disponim në adresim? Albin Kurti i Vetëvendosjes, së paku deri tash, nuk ka dhënë “kreshendo” bërtima siç bëri në fushatën e janarit. Për më tepër, doli edhe në media, ndonëse në një intervistë të mirëdisponuar ndaj tij, i pasfiduar, dhe me kollaj shtrimi të rrëfimit partiak dhe zgjedhor. Në videoklipet zgjedhore ai shihet të reflektojë ‘ngrohtësi’ dhe një komunikim ton-lehtë me publikun, ç’gjë shihet si apelim te një elektorat që mund të jetë ndjerë i tjetërsuar nga decibelët agresivë të vet në janar. Por, ndonëse oktavat i ka ulur ndjeshëm më poshtë në krahasim me janarin (nuk dihet nëse veç përkohësisht), mesazhet politike e deri te përzgjedhja e slloganit, sugjerojnë që ai do të ndjekë rrugën e trasuar të fushatës së kaluar. “Mos lësho pe”, ishte sllogani zgjedhor që u dha, si filozofia politike e kondensuar dhe kompresuar në pak fjalë në këto zgjedhje. Ky sllogan, i gjen dy referenca kyçe: adresimin e famshëm të Agim Bahtirit “Albin mos lësho pe, se kot do të kish, e kot do të ka” dhe telefonatën e përzemërt me Lulzim Hetemit hermetikisht të mbyllur në godinën komunale të Leposaviqit, të dhënë me fjalët “ai shqetësohej mos unë po lëshoj pe, unë shqetësohesha mos ai po lëshon pe”. Por, ku e la, që po e nis kështu fushatën, Albin Kurti?

  • Qeverisje me shqiptarinë, apo me Beogradin?

Disa mijëra euro gjobë i kishte shqiptuar gjyqësori ndaj Glauk Konjufcës, të dytit të Vetëvendosjes, i cili në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, mbarë spektrin tjetër politik shqiptar e hidhte në ekuacion qeverisjeje “me Beogradin” ndërsa Vetëvendosjen me “shqiptarinë”. Kaq, thoshte ai, ishte dilema e atyre zgjedhjeve. Veç pak ditë pas kësaj deklarate, kur u shpallën rezultatet, Vetëvendosje doli të ketë humbur shumicën shqiptare. Dhe, për 10 muaj, s’pati numra për të zgjedhur as kryetar të Kuvendit dhe as qeveri. Vendi u nis drejt zgjedhjeve të reja. Fushata zgjedhore e re ndërkohë ka marrë, dhe ricikluar, tregimin e vjetër.

Sërish barazimi i të gjithëve: me Listën Serbe.

Glauk Konjufca, me t’u mbledhur përfaqësuesit politik të partive për të caktuar seancën e parë konstitutive të 15 prillit, fjalët i kishte zbutur. Pse, e pyetën? Ai tha se “zgjohesh një ditë në mëngjes, dhe i sheh rezultatet”.

Dhe, rezultatet Vetëvendosje më nuk i kishte. Kërkonin koalicion me LDK-në, të cilët e kishin refuzuar. Një nga arsyet kryesore, sipas LDK-së, ishin edhe fjalë peshërënda të artikuluara nga Vetëvendosjes gjatë tërë fushatës. “Askush s’deshti të bashkëpunojë me ne”, thanë nga VV me t’u shpallur zgjedhjet e reja, sipas tyre, “pa dëshirën tonë”.

Tregimi i njëjtë sërish

Prej (mos)zgjedhjes së Nenad Rashiqit, Vetëvendosja sytë i kishte te shkrepja e një fotografie ku partitë ish-opozitare, qoftë edhe përmes një detyrimi me Aktgjykim Kushtetues, do të detyroheshin të votnin për një pjesëtar të Listës Serbe për pozitën e Nënkryetarit serb të Kuvendit. Këtë fotografi të synuar, ia prishi Lidhja Demokratike të Kosovës, kur e votuan Nenad Rashiqin, të propozuar nga Vetëvendosje.

Por, Albulena Haxhiu, s’ishte dorëzuar nga kjo përpjekje. Kur Glauk Konjufca kishte dalë në parlament për të kërkuar votëbesim për krijim të qeverisë pa pasur shumicë të thjesht, Haxhiu nxori telefonin dhe fotografia votimin kundër të PDK-së, dhe prapa tyre, të Listës Serbe. “Në harmoni të plotë”, shkroi Haxhiu.

Kjo fotografi u bë municioni i botëve digjitialë, profileve të rreme në rrjete sociale, grave të rreme pro-VV në Facebook (etj.) dhe u shpërndanë nga spindoktorë me orar të plotë si Xhevdet Pozhari, papagallisht në “argumente” të Albulena Haxhiut.

Kurti i vendos ‘kulmin’ diskursit

Me të marrë ‘besimin’ absolut të Vetëvendosjes si kandidat i partisë për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme, çështjen e përshkruarjes së Listës Serbe te mëndafshi politik i partive ish-opozitare, Albin Kurti e çoi në oktavat më të larta.

“Është e frikshme përputhja e tyre me Listën Serbe”, tha Kurti.

Lista Serbe, si parti degë e SNS-së së Aleksandar Vuçiqit, pas kësaj fjalie të Kurtit u bë lajtmotiv i zgjeruar nga profilet e rreme në Facebook e deri te deputetët e Vetëvendosjes.

Dhe jo veç “sinkronizim me Listën Serbe në Kuvend”, tha Kurti, por “edhe në KQZ, për ta ndaluar morgatën për të votuar”.

“Në thelb, të dashur qytetarë, kjo opozitë po e pengon mërgatën në ushtrimin e së drejtës së saj kushtetuese për të votuar dhe fatkeqësisht këtë po e bën në sinkronizim me Listën Serbe. Përputhja në votime e opozitës kosovare me Listën Serbe, për besë është e frikshme. Pra, nuk është duke ndodhur ky sinkronizim veç në Kuvend të Republikës, ku votonin kundër Albulenës, votonin kundër meje, votonin kundër Glaukut. Veç vërejeni me kujdes!

Kur ishte në pyetje Lista Serbe, maksimumi i kundërshtimit të tyre ishte abstenimi. Këta kundër Listës Serbe nuk votojnë. Maksimumi është abstenimi. Ndërkaq zelli me të cilin votojnë kundër Albulenës, Glaukut edhe meje, ky sinkronizim në Kuvend të Republikës, në fakt është i përcjellur edhe në institucione të tjera siç është Komisioni Qendror Zgjedhor. Prandaj këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme dhe nevojitet syçelësi, dhe nevojitet pjesëmarrje massive”, tha Albin Kurti.