Kurti i grahë me t’veten: Dhashë dorëheqje, më shumë se kaq s’është e mundur

Albin Kurti drejtoi një mbledhje të Qeverisë së Kosovës sot, në krye të së cilës tha se të martën ka dhënë dorëheqje.

Kurti tha se Qeveria është “në detyrë dhe efektivisht e dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti” kur tha se është “përmbushur” mandati i rregullt dhe i plotë katërvjeçar.

“Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës”, tha ai.

“Deri në formimin e Qeverisë së re, unë, në emër të kabinetit qeveritar, dje i jam drejtuar Kuvendit të Republikës sonë me një letër, përmes së cilës e kam njoftuar për statusin e Qeverisë sonë pas datës 23 mars 2025 dhe për dorëheqjen time nga posti ekzekutiv, veçse efektiv nga ajo datë, dhe sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Më shumë se kaq, nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq, do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare”, tha Kurti.

Ai mori shembuj nga e kaluara që ish-kryeministrat kishin mbetur në detyrë deri në formimin e qeverive të reja.

‘Është kërkesë dhe insistim, thënë së buti, i pamatur, për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, tha ai.

Kurti tha se “ligji e bën të qartë se një qeveri në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj”, megjithëse “të kufizuara”.

Seanca konstituive e Kuvendit dje nuk vazhdoi më shumë se deri te procesi i votimit të raportit të komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve. 52 deputetë votuan për këtë raport, 46 kundër dhe 11 abstenuan.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja votuan kundër këtij raporti, pasi thanë se ndryshe do ta shkelnin ligjin. Thanë se Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje paraprakisht, sipas ligjit të ri për Qeverinë.

LVV-ja pretendoi se në komisionin e përkohshëm u paraqit një letër e dorëheqjes së Kurtit nga posti i kryeministrit, por këto parti nuk e konsiderojnë akt të njëmendtë dorëheqjeje. Në fakt kështu mendojnë edhe shumë juristë.