Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka njoftuar se kabineti do të miratojë Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin fiskal 2026.
Kurti theksoi se buxheti i ardhshëm do të jetë me vlerë 4 miliardë euro, ndërsa rreth 1 miliard euro do të dedikohen për investime kapitale. Ai njoftoi gjithashtu se risia e këtij buxheti do të jetë dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik.
“Ashtu siç e parasheh Ligji për Financat Publike, brenda afatit ligjor sot po miratojmë projektligjin për ndarje buxhetore për vitin fiskal 2026. Sikurse çdo vit, edhe ky buxhet do të ketë shumë risi,” tha Kurti.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se është buxhet me vlerë prej 4 miliardë euro, ku një e katërta, apo rreth 1 miliard euro, janë buxhetuar për investime kapitale. Një risi do të jetë edhe dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik,” shtoi ai.
Projektligji pritet t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim në procedurë të rregullt parlamentare.



 
															






