Kryeministri në dtyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas raportimeve se disa nga pjesëtarët e grupit terrorist të Banjskës janë parë së fundmi duke siguruar rezidencën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Pikërisht para dy vitesh, në fund të qershorit të vitit 2023, në mbledhje të Qeverisë, e shpallëm të ashtuquajturën ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ si organizata terroriste. Kritikat, kundërshtimet dhe sulmet ndaj nesh për këtë vendim ishin të shumta. Mirëpo, pas pak muajsh u vërtetua se kemi pasur të drejtë,” tha Kurti.
Ai rikujtoi sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, të cilin e quajti hero të vendit.
“Ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, së bashku me 44 paramilitarë të tjerë që morën pjesë në atë sulm. Sot, të njëjtit janë edhe më afër — janë pjesë e sigurisë së afërt të presidentit të Serbisë. Kjo tregon se kemi pasur të drejtë kur kemi deklaruar se ky grup kriminal dhe terrorist është i dirigjuar dhe financuar nga Beogradi. Nuk bëhet fjalë për një grup huliganësh, por për persona të trajnuar në Serbi, që marrin urdhra nga atje dhe kryejnë akte agresioni në Kosovë,” u shpreh Kurti.
Ai shtoi se kërkon dorëzimin e tyre autoriteteve të Kosovës, duke e lidhur këtë me qëndrimin e vazhdueshëm mohues të regjimit të Beogradit ndaj krimeve të luftës në Kosovë, dhe me rritjen e bashkëpunimit të Serbisë me Kremlinin.
“E gjithë kjo tregon se kemi pasur të drejtë për gjithçka. Regjimi në Beograd jo vetëm që mohon krimet e luftës në Kosovë, por po forcon edhe më shumë lidhjet me Kremlinin dhe presidentin despotik Putin,” përfundoi Kurti.
The post Kurti: Grupi terrorist i Banjskës i dirigjuar dhe financuar nga Beogradi appeared first on Kosovapost.net.