Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se në katër komunat veriore, për të cilat në fund të muajit gusht u raportua se po zhvillohen veprimtari ilegale, tash do të ofrohen shërbime të ligjshme.
“Në fund të muajit të kaluar pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara se në katër komuna veriore po funksionojnë komuna paralele të Serbisë në hapësira të uzurpuara dhe po zhvillojnë veprimtari ilegale, institucionet tona të sigurisë kishin ndërmarrë veprimet ligjore për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar neve, institucionet qeverisëse që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme”, tha Kurti.
Ai bëri me dije se në ato objekte tash do të funksionalizohet njësia e patentë shoferëve, shërbimi për regjistrimin e automjeteve e qendra për punë sociale dhe shërbime të mirëqenie.
“Në ato objekte do të funksionalizohen njësia e patentë shoferëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, qendra për punë sociale dhe shërbime të mirëqenie sociale në kuadër të Ministrisë së Financave pastaj shërbimi për regjistrimin e automjeteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme e shërbime të tjera të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Qeveria nuk po mbyll zyre, përkundrazi po hapë zyre, nuk po zvogëlon apo kufizon shërbimet, përkundrazi po i shton ato, nuk po i largon shërbimet publike për qytetarë, por po i ofron tek ata, kësisoj duhet të shihen veprimet tona në veri”, tha më tej kryeministri gjatë fjalës hyrëse në mbledhjen e qeverisë.