Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka edhe tetë ditë kohë për t’i paraqitur Kuvendit përbërjen e Qeverisë së re për miratim, konkretisht deri më 26 tetor. Ndërsa afati po ecën, Kurti zyrtarisht ende nuk ka nisur komunikimin me partitë për formimin e Qeverisë së re. Ai më 13 tetor ka thënë se nëse s’ka qeveri Kurti 3, atëherë ka zgjedhje të reja parlamentare, shkruan Reporteri.net.
Edhe pse i kanë ikur shtatë ditë nga afati ligjor prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ende nuk ka filluar zyrtarisht bisedimet me ndonjë nga partitë politike, edhe pse më 13 tetor paralajmëroi nisjen e bisedimeve për këtë javë, por deri sot nuk ka një njoftim për takim zyrtar të ketë ndodhur një gjë e tillë.
“Për qeverinë qendrore, dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse të rezultatit të zgjedhjeve lokale. Shumë shpejt, këtë javë do të fillojmë bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë tonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin, edhe unë si kryeministër kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë, duhet të kemi mandat të rregullt, që padyshim do të fillojë porsa të nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti në konferencë për media të hënën më 13 tetor, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Ai tha se në momentin që bisedat kanë sukses nuk do ta pret 26 tetorin, ndërsa paralajmëroi zgjedhje të reja parlamentare nëse nuk ka qeveri Kurti 3.
“Tash po numërojmë poshtë, përderisa më herët nuk numëronim te poshtë, por përpara, nuk kishte afate. Tash po numërojmë poshtë, dhe vura theksin te 15 ditëshi që përfundon më 26 tetor. Në momentin që konsiderojmë se bisedat kanë rezultuar të suksesshme, pa vonesë nuk e presim 26 tetorin. Po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3, nëse nuk ka Kurti 3, jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”, tha ai.
Kurti, i pyetur për koalocionet e mundshme, nuk pranoi të flasë, por kishte deklaruar që do të ketë bisedime, pa treguar konkretisht me kë.
“Komunikimi dhe bisedat që do të zhvillojnë janë ato që do ta përcaktojnë përbërjen e shumicës së re që do ta votojë qeverinë Kurti 3”, deklaroi ai të hënën e kësaj jave.
Ndërsa kanë ikur katër ditë nga këto deklarime të Kurtit, partitë kryesore në vend, PDK, LDK e AAK kanë paralajmëruar se nuk do të lidhin koalicion qeverisës me Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa derën hapur ia ka lënë Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi më 15 tetor në një konferencë për media ka deklaruar se nuk ka pas kurrëfarë kontakti apo komunikimi me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se edhe nëse do të ndodhte një kërkesë nga ana e VV-së, nuk do të pranonin të diskutonin për qeveri me ta.
“Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me Vetëvendosjen. Nuk pres kurrfarë kërkese, por po e them përmes juve kot e dërgon kërkesën se për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdo lloj qeverie në çfarëdo opsioni. Kjo është e qartë prej datës 10 shkurt, e ka thënë Bedri Hamza. Qëndrimet tona janë konsistente”, deklaroi Krasniqi.
Sipas Krasniqit, Kurti nuk i ka numrat për ta bërë qeverinë.
“Jam i bindur siç kam qenë gjithmonë, që s’ka numra. E më pas ezaurimi i provës së parë, sjell atë të provës së dytë. Afatet kushtetuese janë të tilla, që mund të përfundojmë në zgjedhje mes 30 nëntorit deri më 14 dhjetorit, ndoshta me 7 dhjetor. E nëse na befason Kurti, mbesim me shku në zgjedhje në prill”, tha Krasniqi.
Se nuk do të hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen ka paralajmëruar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e Lumir Abdixhikut.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se partia e saj nuk do të jetë në koalicion me VV-në.
“Kalkulimet e Kurtit janë të ditura, mund të themi që nuk është i interesuar ta krijojë qeverinë pasi që nuk ka mundësi ta bëjë vetëm me deputetët e subjektit tij politik, nuk e shohim se ai po kërkon një bashkëpunim nga partitë politike për ta bërë qeverinë dhe duhet t’ia lejmë kohës dhe të shpresojmë sepse natyrisht Kosova ka shumë nevojë për institucionet e saja. Kemi humbur projekte miliona buxhet për vendin, LDK nuk do të jetë në koalicion me LVV-në, i ka dhënë arsyet e veta, një vendim të tillë ne e kemi marrë në organet e LDK-së dhe nuk ka asnjë ndryshim në këtë aspekt. LVV ka obligim ta themelojë sa më shpejt qeverinë, takim për t’i diskutuar dhe shqyrtuar mundësitë nuk mund të iu jap përgjigje sepse natyrisht duhemi të takohemi si kryesi e LDK-së dhe ta shqyrtojmë këtë ftesë në qoftse kushtimit ndodhë, por që të kemi koalicion me VV-në ata e kanë përgjigjen publike disa herë dhe nuk duhet të kalkulojnë më nuk duhet ta përdorin këtë lojë”, ka deklaruar Gaxherri në Tëvë1.
“JO”, Kurtit për koalicion i kanë thënë edhe nga Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës, konkretisht kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë për Indeksonline se ka interesim të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, por që nuk janë të interesuar për një koalicion me Kurtin.
Haradinaj ka thënë se Kurti s’i ka numrat për të formuar qeverinë.
Për dallim nga tri partitë e lartcekura, nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt kanë deklaruar se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës nga Lëvizja Vetëvendosje për të biseduar rreth formimit të qeverisë së re.
Deputetja e Nisma-s, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se partia e saj “ka një përgjegjshmëri politike dhe s’ka asnjë arsye mos me qenë në tavolinë të diskutimit me LVV-në”.
Ajo për Kosovapress ka deklaruar se nëse formimi i qeverisë së re varet vetëm nga tri votat e Nisma Socialdemokrate, “atëherë në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte”.
Megjithatë, Izmaku thekson domosdoshmërinë që të “sqarohet pozita e kryetarit të Kuvendit”, pasi sipas saj, legjislativi nuk duhet të funksionojë me një figurë e cila ka krijuar përçarje.
Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq ka deklaruar se do të dëshironte që Vetëvendosje dhe LDK të bëjnë koalicion mes vete për formimin e Qeverisë së Kosovës.
“Unë kisha qenë i gëzuar që të kemi një qeveri një mazhorancë stabile për shkaqe të sfidave që kemi, për shkak të marrëdhënieve ndërkombëtare, prandaj unë kisha qenë i gëzuar që të jetë LVV të bëjë koalicion me LDK, atëherë do të kishim pas një numër më të madh të deputetëve, nëse isha vetë unë në ndonjë formë ose një moment do të inkurajojë Kurtin që është e mundshme një koalicion të lind sepse siq kemi konfirmuar edhe më herët kanë treguar një seriozitet institucional dhe unë e vlerësoj një gjë të tillë”, ka deklaruar Rashiq në Tëvë1.
Për formimin e Qeverisë së re ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani e cila ka thënë se është në duar të partive politike formimi i qeverisë së ardhshme të Kosovës, teksa ka rikujtuar se afatet po rrjedhin.
“…afatet rrjedhin po negociatat për koalicione bëhen vetëm ndërmjet partive apo në rastin konkret mund të bëhen edhe me deputetë. Por, janë diskutime mes partive në të cilat unë si presidente nuk do të duhet të ndërhyrja. Rrjedhimisht unë nuk mund ta di se deri kur kanë arritur ato negociata potencialisht, por janë çështje besoj të cilat më shumë informata mund t’u japin partitë politike në involvuara”, ka deklaruar Osmani.
E para e vendit tha se shpreson shumë që partitë të gjejnë një gjuhë të përbashkët e të formohet qeveria sa më parë.
“Shpresoj shumë që do të kemi sa më parë qeveri me mandat të plotë kushtetues. Sa më parë të kemi qeveri me mandat të plotë kushtetues, mund të shtyhet përpara reforma, kemi një buxhet gjithpërfshirës dhe vendime tjera që shtyhen përpara nga qeveria. Kur do të ndodhë kjo, është në duar të partive politike që shpresoj shumë të gjejnë një gjuhë të përbashkët”, ka thënë Osmani para gazetarëve.
Nëse Vetëvendosje nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve për kabinetin e ri deri më 26 tetor, atëherë presidentja Vjosa Osmani është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit. /Reporteri.net/.