Kurti e sulmon, VV-ja i beson: Partia në pushtet pret drejtësi nga Gjykata Kushtetuese për votat me postë

Lëvizja Vetëvendosje kurrsesi nuk po pajtohet me rezultatin përfundimtar të zgjedhje të 9 shkurtit, i cili është certifikuar këtë javë.

Ndonëse PZAP-ja dhe Gjykata Supreme ia kanë rrëzuar ankesën për anulimin e rezultatit të votave me postë të diasporës, partia në pushtet ka vazhduar ankesat për të kontestuar këtë rezultat.

Madje, ankesën e fundit e ka bërë në Gjykatën Kushtetuese, e cila është prej gjykatave më të atakuara nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij.

Pavarësisht sulmeve brutale që i janë bërë kësaj gjykate nga njerëzit e pushtetit në fushatë zgjedhore dhe para saj, VV-ja pret drejtësi nga Kushtetuesja.

Partia në pushtet ka treguar përmbajtjen e ankesës së saj në Kushtetuese.

Sipas VV-së, vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimit të vullnetit të qytetarëve

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese së bashku edhe me kërkesën për masë të përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikuar politikisht të Supremes. Konsiderojmë se është detyrë e të gjithëve dhe veçanërisht e inistutcioneve të thirrura që të ruajnë vullnetin e shprehur të qytetarëve në procesin zgjedhor, vullnet nga i cili buron legjitimiteti i secilit institucion të Republikës. Kësisoj, vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimi të tillë”, është thënë në ankesën e VV-së, duke treguar se cka është më urgjente në këtë proces.

Në këto rrethana vendimi në kohë sa më të hershme në lidhje me kërkesën për masë të përkohshme do të ishte mundësi e vetme e parandalimit të tjetërsimit dhe deformimit të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025”, ka vlerësuar VV-ja.

Partia në pushtet të njëjtën vlerësim kishte pasur edhe për PZAP-në dhe Gjykatën Supreme.

Por, pasi këto instanca gjyqësore ia rrëzuan ankesën, VV-ja vendimet e tyre i quajti politike.

Zyrtari ligjor i VV-së, Blerim Sallahu, i cili i ishte autor i këtyre ankesave, kishte shfaqur pretendimet të çuditshme ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte shkruar se informacione nga brenda se vendimi i Supremes ka qenë kryekëput politik.

Gjykata Supreme sot ka marrë vendim që të hedh poshtë ankesën tonë në lidhje me procesin e votimin përmes postës. Pra, jemi në kohën kur Prokuroria fillon hetimet në lidhje me dyshimet e bazuara për këtë proces dhe Supremja që hedh poshtë ankesën mbi këto. Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi. Si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të parashtrojmë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese, ku gjithsesi do të kërkojmë edhe masën e përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht”, kishte shkruar Sallahu.

Mbetet të shihet nëse Sallahu do të ketë qasje të njëjtë edhe ndaj vendimit të Kushtetueses për ankesën e VV-së.

Ajo që dihet është sulmi brutal që ka pësuar Gjykata Kushtetuese në këtë mandat nga kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe zyrtarë tjerë të lartë të VV-së.

Për faktin se kjo gjykatë rrëzonte ligjet anti-kushtetuese të qeverisë, njerëzit e pushtetit vlerësonin se Kushtetuese është e “kapur” prej opozitës.

Më i ashpri në këtë drejtim kishte qenë kryeministri Albin Kurti.

Gjatë një interviste për RTK-në, vitin e kaluar, ai e kishte ftuar Gjykatën Kushtetuese të marrë pjesë në zgjedhje si parti politike.

Nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do të duhej të pranonte, duke pasur komision parlamentar për legjislacion, të trajtojë secilin ligj që e kalon mazhoranca. Po mirret me nivel të pagave, me çmime tavan, po mirret me gjithçka. E ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata. Nuk është apolitik nëse ti merr vendime për politika. Kur ata garojnë, mund të votoni për ta.”, kishte thënë Kurti.