Kandidati për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, janë bashkuar në hapjen zyrtare të fushatës, nga po bëjnë thirrje te qytetarët për t’i votuar, shkruan Gazeta Sinjali.
“Po afrohet dita e ndryshimit të madh”, ka thënë Kurti derisa edhe Osmani ka thënë se 14 shkurti do të sjellë ndryshime.
Kurti vazhdon të këmbëngul se do të jetë bartës i listës në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai ka thënë se viti që u la pas ishte i rëndë me shumë sfida e ngjarje, duke theksuar gjendjen me pandeminë. Ai ka thënë se sondazhet i tregojnë ata fitimtarë, porse thotë se nuk duhet të vetkënaqen e të mos angazhohen në fushatë.
Kurti ka thënë se ju duhen 60 deputetë e të mos e lejojnë planin e atyre që shkaktojnë krizë.
“Kemi bërë një rrugë të vështirë deri këtu por të drejtë. Kemi paguar kosto sepse nuk jemi dashur të bëjmë kompromis përballë politikës së vjetër e të korruptuarve. Qytetarë ju kanë mashtruar aq shpesh sa nuk ju besoni më programeve politike. E kur e kujtojmë qeverisjen tonë që nisi një vit me parë, jam me besimin e plotë që do t’i realizojmë qëllimet tona sepse bashkë gjithçka është e mundshme. Bashkë do t’i referojmë spitalet e klinikat publike, do ta rrisim buxhetin për shëndetësinë dhe do të ketë nevojë më pak të shkojmë e të shërohemi jashtë vendit”, ka thënë ai.
Kurti tutje ka folur edhe për programin për arsim.
“Me qendër multifunksionale të sporteve, do t’i fuqizojmë shkollat e sportit. Forca nuk na duhet pa mendje, as mendja pa forcë. Për mendjen e trurin jemi në një situatë jo të mirë si shtet. Sistemi ynë arsimor lë aq shumë për të dëshiruar. Tani kemi mundësinë që ta kthejmë dijen në shkolla, ta kthejmë dinjitetin e arsimtarit. Do të investojmë te edukimi i hershëm i fëmijëve, në mënyrë që gara të jetë për dije e për notë. Arsimi do të digjitalizohet e shkolla të modernizohet”, ka thënë ai.
Edhe Osmani ka bërë thirrje që lista e saj me Vetëvendosjen, të votohet më 14 shkurt për, siç tha ajo, ndryshime të mira në Kosovë.