Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjeotirt, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po fokuson gjithnjë e më tepër fjalimet e tij në projektimin e ‘arritjeve masive’ në pesë vitet e fundit. “Bumi ekonomik” dhe “forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar” janë dy temat me fokusin kryesor të ish-kreut të qeverisë, në përpjekje për të ndërtuar mirazh progresi në çdo tubim, ndonëse paradoksalisht pikërisht këto dy fusha i ofruan më së shumti material opozitës për të kapitalizuar politikisht, në dritën e krizës së thellë ekonomike dhe krisjes së raporteve me aleatët strategjikë.
Në pothuajse çdo tubim, Kurti u drejtohet qytetarëve me koncepte abstrakte dhe statistika të thata nominale, të cilat jo vetëm që dështojnë të shpjegojnë progresin real, por paradoksalisht, ekspozojnë paaftësinë e Qeverisë Kurti II për të menaxhuar krizën globale të çmimeve dhe ndikimin e saj shkatërrues në ekonominë e brishtë vendore.
Në tubimin e tij të fundit, Kurti i dha zor të ndërtonte një narrativë suksesi në ekonomike, duke bërë krahasime selektive dhe përdredhëse me qeveritë paraardhëse. Megjithatë, pretendime të tilla shpërfillin qëllimisht faktorin kyç: inflacionin, i cili gjatë katër viteve të fundit e ka gërryer në mënyrë drastike fuqinë blerëse të qytetarëve, duke e bërë çdo rritje nominale të parëndësishme për xhepin e tyre.
“Prej 7 miliardë në 2021, sivjet bëhet 11 miliardë. Në vitin e ardhshëm bëhet 12 miliardë… Trefish jemi më të shpejtë se ata kur vjen puna te rritja ekonomike,” deklaroi Kurti.
Por, rritja e qarkullimit ekonomik nga 7 në 11 miliardë euro nuk është domodoshmëri dëshmi e rritjes së prodhimit apo mirëqenies. Një nga argumentet e partive tjera për mburrje të tilla nga Kurti, si rritja e buxhetit, ishte inflacionit rekord ndaj të cilit Kosova iu ekspozua viteve të fundit.
Kur produktet esenciale – nga shporta e konsumatorit e deri te materialet ndërtimore – kushtojnë dyfish ose trefish krahasuar me vitin 2021, vlera monetare e transaksioneve rritet automatikisht, ndërsa fuqia blerëse e qytetarit pëson rënie drastike.
Kjo diskrepancë mes shifrave nominale dhe realitetit të jetesës është konfirmuar vazhdimisht nga raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, të cilat kanë evidentuar se “rritja” e proklamuar është thjesht një fryrje inflacioniste, jo zhvillim substancial.
Një nga mburrjet më të çuditshme, të cilën Kurti vendosi ta instrumentalizojë si “trofe” të qeverisjes së tij në prag të vitit 2025, është liberalizimi i vizave.
“Shtet i fortë – pasaportë e fuqishme… Me qeverisjen tonë liberalizimi i vizave u arrit me punë, pa kompromise, sepse ishte e drejtë dhe meritë,” shkroi Kurti.
Në realitet, heqja e regjimit të vizave nuk kishte lidhje me ndonjë ofensive diplomatike apo reforme ekskluzive të ish-qeverisë Kurti.
Në fakt, krejt kjo ishte ishte një “karrotë gjeopolitike” e vonuar nga BE-ja (e bllokuar gjatë nga Franca), e cila u zhbllokua vetëm pas pranimit të heshtur të marrëveshjes me Serbinë – specifikisht pranimit të Nenit 7 për “vetëmenaxhimin adekuat” të komunitetit serb.
Mes përpjekjeve për të proklamuar forcim të pasaportës së Kosovës, zyrtarët qeveritar shpërndanë edhe raporte pa kurrfarë kredbilitetit dhe pa verifikuar thelbin e tyre. Kurti dhe zyrtarë të tjerë cituan me bujë renditjen e Kosovës në indeksin e “Henley & Partners”, duke pretenduar se pozita e 26-të në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve dëshmon një ekonomi të lulëzuar.
“Kosova renditet e 26-ta… duke tejkaluar shumë ekonomi të fuqishme të BE-së. Ky është dëshmi e klimës sonë gjithnjë e më të fuqishme ekonomike,” pretendonte Kurti në platformën X.
Sipas Henley Passport Index 2025, pasaporta e Kosovës renditet në vendin e 65-të. Ngjitja në këtë rangim është ekskluzivisht pasojë teknike e vendimit të BE-së për heqjen e vizave Schengen – një proces burokratik i finalizuar pas një dekade përpjekjesh institucionale të shumë qeverive, jo rezultat i ndonjë strategjie gjeniale të politikës së jashtme të Qeverisë aktuale.
Indeksi Henley nuk mat as forcën diplomatike, as reputacionin ndërkombëtar, dhe as “forcën e shtetit”. Indeksi në fakt pasyron asgjë tjetër përveçse algoritëm statistikor që numëron destinacionet e qasshme pa viza.













