Kurti e Nagavci krekosen për hapjen e Masterit në Energjetikë, deputetja Bajrami ua bën bajat

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren po ashtu në detyrë, Arbërie Nagavci, njoftuan gjatë ditës së sotme se është akredituar programi Master në Energjetikë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK).

Madje deputetja Nagavci, për akreditimin e këtij programi, merita madhore i dha shefit të saj të partisë, Kurtit.

“Këto arritje janë rezultat përveç tjerash edhe i bashkëpunimit konstruktiv si dhe një kërkese të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Albin Kurti, gjatë një vizite në FIEK, duke pas parasysh rëndësinë e këtyre programeve”, shkroi mes tjerash, Nagavci, raporton Klankosova.tv.

Por, krejt këto krekosje të dyshes së mësipërme po i hedh poshtë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Duke qenë pjesë e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës prej vitit 2004, ajo thotë se politika nuk ka asnjë meritë në akreditimin e programeve.

“Lej more punët e të tjerëve, se as ti as Nagavci asnjë meritë aty nuk e keni. Këtë e them me përgjegjësi të plotë se jam pjesë e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës prej vitit 2004, disa herë kam marrë pjesë në akreditim të programeve të reja dhe të atyre ekzistuese. Krejt programet e reja hartohen dhe mbrohen para ekspertëve të akreditimit nga stafi akademik dhe asnjë një punë këtu as qeveria as MASHT-i nuk ka, asnjë të vetme”, u shpreh mes tjerash Bajrami.

E në këtë drejtim, deputetja e LDK-së nuk la pa kritikuar Kurtin për situatën me energji elektrike në vend, gjegjësisht për rritjen e çmimit të saj.

“Por, meqë qenka program për energjetikë, pse s’po folë për skandalet në këtë sektor, Albin? Ti je përgjegjës për gjendjen dhe skandalet në sektorin e energjisë, sepse ish-ministrja e ekonomisë, njerëzit që i keni çu në ZRRE dhe në KOSTT, kanë leju dhe kanë ndihmu të lulëzojë mafia e energjetike”.

“Kur ju keni folë për Damir Fazlliçin e Vuk Hamoviçin, për besë ne tjerët as idenë se kemi pasë kush janë ata. Merre lexoji të dhënat e publikuara te buletini ekonomik dhe përgjigju. 1.11 Euro është ble shërbimi i transportit për një MWh e na është shitë neve 798.32 Euro. Njëra prej kompanive përfituese ishte EFT sipas teje është e këtij Vuk Hamoviçit, ajo tjetra NOA, që ka hy në treg për herët të parë në qeverisjen tënde dhe sot është kompania e 8-të për nga qarkullimi në Kosovë, mos harroj i ka dy punëtorë. Të varfër apo të vjedhur? Deklarohu Albin”, u shpreh deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. /Klankosova.tv