Pas tetë përpjekjeve të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe gjashtë tentativave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare të Kuvendit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në një takim konsultativ dy partitë më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
PDK-ja, përmes kryetarit Memli Krasniqi, pranoi ftesën dhe konfirmoi pjesëmarrjen në takim të planifikuar për sot në orën 08:30, një orë e gjysmë para nisjes së seancës konstituive. Krasniqi theksoi nevojën urgjente për zhbllokimin institucional dhe propozoi gjetjen e një kandidati për kryetar Kuvendi që do të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Megjithatë, ai theksoi se pozita e nënkryetarit nuk është objekt diskutimi.
Në anën tjetër, LDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në takim. Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan qëndrimin refuzues.
I pari që foli për refuzimin ishte Besian Mustafa. Ai në një prononcim për gazetën online Reporteri.net tha se “Ka ftesë. Kryetari nuk është në Kosovë. Çështja e Kryetarit te Kuvendit, është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, ka thënë Mustafa për Reporteri.net.
I pyetur nëse do të shkojë dikush tjetër nga LDK-ja në këtë takim, Mustafa është përgjigjur shkurt “askush”.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur për letrën që Kryetari Lumir Abdixhiku ka pranuar nga Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti për takim nesër në ora 08:30, duke thënë se nuk do të shkojë askush nga kjo parti.
Bajrami për Gazetën Online Reporteri.net, ka thënë se pozita e nënkryetarit s’është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër, pasi i takon LDK-së në bazë të rezultatit zgjedhor, e madje siç thotë ajo nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, si praktikë e ndjekur deri tani.
“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme”, ka thënë Bajrami për Reporteri.net
Për Kryeparlamentarin, deputetja Bajrami ka thënë për Gazetën Online Reporteri është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën, dhe se LDK e ka bërë të qartë që s’është e interesuar për një të tillë.
“Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka thënë Bajrami.
Në letrat e publikuara nga Gazeta Online Reporteri.net, Kurti përmendi se për konstituimin e Kuvendit, duhet zgjedhur Kryetarin e pastaj pesë nënkryetarët, ndërsa shpresonte për një përgjigje pozitive nga ana Abdixhikut dhe Krasniqit.
“Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.
Ftesa e Kurtit për konsultim u bë në prag të seancës së 1 majit, pasi më 29 prill Kuvendi dështoi për herë të tetë të konstituohet.
Kandidatura e Albulena Haxhiut nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme, duke marrë vetëm 54 vota – më pak se në tentativat e mëparshme – përballë 44 kundër dhe tri abstenimeve./Reporteri.net/